Një lëvizje e bujshme në merkato po projektohet në aksin Milano-Londër, me një “ndalesë” edhe në Torino. Çelsi është prej kohësh në kërkim të një sulmuesi të nivelit të lartë, dhe trajneri Sarri, duket se ia ka vënë syrin Gonzalo Higuainit.

Aventura e argjentinasit te Milani nuk po shkon ashtu siç pritjej, dhe sipas “Sky Sports” nga Londra duan ta afrojnë që në muajin janar. Për të shkuar tek ky operacion, Çelsi pritet që të përfshijë edhe Alvaro Moratën, i cili kërkohej në verë nga Milani, por në fund nuk u arrit.

Milani për momentin e ka në huazim “El Pipitën”, për 18 mln euro, me të drejtën e blerjes përfundimtare, duke paguar edhe 36 mln të tjera. Pra, për të arritur te marrëveshja mes Milanit dhe Çelsit, do të duhet edhe miratimi i Juventusit në Torino, që sipas “Sky Sports”, ende nuk e ka thënë fjalën e vet.