Organizata europiane që monitoron klimën e ka bërë zyrtare konstatimin: Korriku i vitit 2023 ishte muaji më i nxehtë në Tokë i regjistruar ndonjëherë.
Temperatura mesatare botërore në muajin korrik prej 16.95 gradë Celsius, por këtë vit ishte një e treta e gradës më e lartë sesa rekordi paraprak i regjistruar në 2019-n, tha Shërbimi për Ndryshime Klimatike, një degë e programit hapësinor të Bashkimit Evropian. Thyerja e rekordeve të temperaturave globale zakonisht bëhet me të qindrat ose me të dhjetat e një grade, prandaj diferenca aktuale është e pazakontë.
“Këto rekorde kanë pasoja të rënda për njerëzit dhe planetin që po ekspozohen gjithnjë e më shpesh ndaj ngjarjeve ekstreme dhe intensive”, tha drejtoresha e këtij shërbimi, Samantha Burgess.
Valë vdekjeprurëse të të nxehtit kanë goditur jugperëndimin e Shteteve të Bashkuara, Meksikën, Europën dhe Azinë. Disa studime kanë fajësuar ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, sikurse djegia e qymyrit, përdorimi i naftës dhe i gazit natyror.
Ditët gjatë korrikut ishin më të nxehtat që janë regjistruar ndonjëherë. Temperaturat ishin aq të larta sa që Shërbimi i BE-së dhe Organizata Botërore e Meteorologjisë bënë një njoftim të mëhershëm se korriku pritej të ishte më i nxehti në histori, para se muaji të përfundonte. Njoftimi i 8 gushtit vetëm ka konfirmuar këto konstatime.
Korriku i këtij viti ishte 1.5 gradë Celsius më i nxehtë se në kohët paraindustriale. Më 2015-n, shtetet e botës u pajtuan që të parandalonin ngrohjen afatgjatë që është 1.5 gradë më e nxehtë sesa në epokën paraindustriale.
Korriku i këtij viti ishte 0.7 gradë Celsius më i nxehtë sesa mesatarja e regjistruar në këtë muaj në periudhën 1991-2020, tha Shërbimi i BE-së. Oqeanet e botës, ndërkaq janë për gjysmë gradë më të nxehtë sesa në 30 vjetët paraprak dhe temperatura në Atlantikun e Veriut ishte 1.05 gradë më e nxehtë sesa është mesatarisht.
Ndërkaq, Antarktiku këtë vit ka shënuar nivelin më të ulët të akullit, 15 përqind më pak se mesatarja që regjistron zakonisht në këtë periudhë të vitit./REL