DURRËS, 9 gusht 2013 – Miti urban apo fakt shkencor: është e vërtetë që nëse pi lëngje të ngrohta në verë freskohesh? Shkencëtarët thonë se të djersish është mënyra me e mirë për të qëndruar i freskët, thotë radiotelevizion i njohur gjerman DË. Nëse ju jeni një prej atyre miliona vetëve që preferojnë një gotë me lëng të ftohtë në vend të një filxhani çaji në një ditë të nxehtë vere lexoni me kujdes: shkencëtarët thonë se një pije e nxehtë do t'u freskojë më shumë se një pije e ftohtë. Por si funksionon kjo? Sipas profesorit Piter Meknajton (Peter McNaughton), neuroshkencëtar pranë universitetit të Kembrixhit, konsumimi i pijeve të ngrohta rrit temperaturën e trupit, i cili më pas fillon të djersijë. Nervat që ndodhen në gojë përgjigjen menjëherë ndaj pijeve të ngrohta duke stimuluar prodhimin e djersës. E më pas djersa freskon trupin dalëngadalë.
Uji avullon shumë shpejt nga lëkura dhe kur avullon uji atëherë trupi freskohet. Por ka diçka. “Djersa do të fillojë, ose do të shtohet, vetëm në rast se trupi është i nxehtë”, – thotë dr. Kristofer (Christopher) Gordon, ekspert në termo-rregullimin e trupit të njeriut në universitetin e Sidnit (Sydney). “Gjatë kohës që njerëzit pinë pijet e ngrohta ata do të ndjejnë akoma më shumë nxehtësi, por freskinë do ta ndiejnë më pas”. Djersitja është vitale për funksionimin e trupit të njeriut, “sepse nëse ju nuk djersitni kur temperaturat janë të larta, temperatura e brendshme e trupit do të rritet dhe më pas mund të shkaktohen dëmtime në tru ose ka raste që shkojnë deri në vdekje”, thotë Meknajtoni.
Ushqimet pikante
Meknajtoni thotë se konsumimi i pijeve të ngrohta nuk është mënyra e vetme për të qëndruar të freskët. “Hani një vakt shumë të nxehtë, ose ushqimet pikante, sepse ato do të shkaktojnë djersë të menjëhershme”, shpjegon ai. Sipas dr. Gordonit, kjo mund të jetë arsyeja se pse shumë njerëz që jetojnë në vende me klimë të nxehtë si në Azi, Indi apo Amerikën e Jugut, konsumojnë shumë ushqime pikante dhe jo pije freskuese. Ndërsa ne që jetojmë në një pjesë më të freskët të planetit preferojmë pijet e ftohta në një ditë të nxehtë verë. Duke pirë shumë lëngje të tilla dhe ushqime shumë të ftohta mund të çojë në ngushtimin e enëve të gjakut dhe në këtë mënyrë do të kemi më shumë vape e nuk do të freskohemi. “Pijet e ftohta të freskojnë vetëm për momentin, sepse masa e një pije të ftohtë është shumë e vogël në krahasim me trupin e njeriut, prandaj efekti i pijeve freskuese është shumë i shkurtër”.
Këshilla për ditë të nxehta
Ndërkohë që temperaturat e nxehta kanë përfshirë të gjithë Evropën, profesor Meknajton jep disa këshilla të tjera si të qëndroni të freskët. Të mbështillni rreth qafës një peshqir të lagur: “Kjo është tamam si djersitja, sepse uji në peshqir do të avullojë dhe shkakton të njëjtin efekt si djersitja”. Mbajtja e këmbëve në ujë të ftohtë dhe qëndrimi para ventilatorit: “Një dush i ftohtë ka efekt të menjëhershëm. Por edhe nëse i mbani këmbët në ujë të ftohtë është shumë mirë sepse gjaku që kalon aty do të ftohet dhe më pas do të shpërndahet në të gjithë trupin duke e freskuar atë. Qëndrimi para një ventilatori është gjithashtu efektiv, por djersa do të avullojë më shpejt e ju do të freskoheni më shpjet, prandaj ndonjëherë rrezikoni të ftoheni”. Meknajton-i thotë se mënyra më e mirë për të qëndruar të freskët gjatë muajve të verës është vendosja e një peshqiri të ftohtë rreth kokës ose të shkohet të notohet në një pishinë sepse uji atje është më i ulët se temperatura e trupit dhe kur të dilni nga uji avullimi i ujit do të jetë më i madh. Dhe mbi të gjitha konsumoni shumë lëngje, sepse duke pirë, “do t’i jepni material trupit për të prodhuar djersë, e në këtë mënyrë ulet edhe temperatura e trupit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





