JAPONI, 5 prill 2013 – Shkencëtarët japonezë deklaruan se kanë përpunuar një metodë, që lejon "leximin" e ëndrrave të njerëzve të tjerë me ndihmën e rezonancës magnetike, njoftoi ditën e premte faqja amerikane e Internetit “Global post”.
Bashkëpunëtorët e laboratorit të neurologjisë kompjuterike në Kioto kryen një eksperiment, gjatë të cilit ata arritën të regjistrojnë me ndihmë të rezoncës magnetike, cilat pjesë të trurit të personit, që po i nënshtohej eksperimentit, punonin aktivisht gjatë shikimit të ëndrrave të caktuara. Pjesëmarrësit në eksperiment treguan se çfarë ëndërr kishin parë dhe në bazë të kësaj shkencëtarët përpiluan një tabelë.
Gjatë eksperimentit të dytë, studiuesit u përpoqën të gjenin në bazë të tabelës së përpiluar se çfarë panë në ëndërr personat që iu nënshtruan eksperimentit, pa i pyetur ata. Numri i përputhjeve me përgjigjet e pjesëmarrësve në eksperiment ishte pothuajse 70%.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





