Shkëndija e Tetovës nuk mund të ishte favorite ndaj një prej skuadrave më të titulluara në futbollin botëror, por edhe pse me vetëdijen se është “e vogël” ndaj Milanit, e ka marrë me mjaft optimizëm sfidën e kësaj të enjteje.
Mbrëmjen e 17 gushtit, në “San Siro”, kuqezinjtë e Tetovës do të sfidojnë ekipin e trajnerit Montella, ndërsa i kanë lëshuar sfidën përmes një videoje ironike e të veçantë.
Më shumë se 330 milionë euro vlejnë futbollistët e Milanit, ndërsa as një milion euro ata të Shkëndijës.
Por, pavarësisht diferencave, ekipi zbarkoi në Milano me një kontigjent të plotë dhe me premtimin e presidentit Destani se nuk do të kalojë pa një shpërblim të majmë, nëse skuadra arrin rezultat pozitiv.
Ekipi tetovar nuk është përballur asnjëherë më parë me një rival të tillë, në këtë fazë, por trajneri Osmani shpreson që të lërë shenjë, edhe pse kualifikimi mbetet një ëndërr.