Subjektet private të licensuara për të ofruar kanale kabllore, telefoni dhe internet kanë dëmtuar në shumë raste infrastrukturën e rrugëve të qytetit të Durrësit.

Nga një vështrim i thjeshtë në terren konstaton se shumë prej rrugëve janë dëmtuar për shkak të shtrimit të kabllove nëntokësore dhe mos rikthimin e infrastrukturës në gjendjen e mëparshme.

Pasi këto subjekte mbaruan me rrugët kryesore tani u janë “qepur” edhe lagjeve të brendshme, duke shkatërruar trotuaret dhe duke i lënë këto të fundit të “shqepura” plotësisht.

Shembulli më i fundit është tek Pusi i Top-Hanes, në krah të godinës së Prokurorisë së rrethit, ku prej ditësh, një firmë ka "shqepur"  trotuarin, ka shtruar tubat dhe kabllot nën të dhe kanalet i ka lënë hapur. Në vend që të rikthente normalitetin pas përfundimit të punimeve, firma është larguar pa lënë gjurmë. Natë apo ditë qoftë, qytetarët rrezikojnë të “thyejnë qafën” në kanalin që ka mbetur i hapur, në derën e pallatit të tyre.

Situata vijon e tillë prej mëse 3 javësh dhe ankesat e banorëve kanë rënë në vesh të shurdhët. Të moshuarit dhe nënat me fëmijë të vegjël janë ato që po e ndjejnë më së shumti këtë shqetësim në lagjen nr.2. 

Firmat marrin leje nga bashkia e Durrësit për të kryer punimet e parashikuara për zgjerimin e rrjetit të tyre, por kontrata e lidhur me këtë rast parashikon kthimin në gjendjen e mëparshme të rrugëve dhe trotuareve që dëmtohen gjatë punimeve.

Çështja është se asnjëherë nuk janë kthyer në gjendjen e mëparshme. Do të ishte mirë që Prokuroria e rrethit Durrës të niste hetimet për këto shkelje që ndodhin në kurriz të qytetarëve nga subjektet private.

Prokurorët nuk kanë nevojë të lodhen shumë për të mbledhur prova, për abuzimet e këtij lloji. Në këtë rast, mjafton që prokurorët të zgjasin kokën nga dritaret e zyrave të tyre për të konstatuar me sy të lirë abuzimet e kryera.

K.H.