Shkëputja e pllakave nga fasada e një pallati 5 katësh në lagjen nr.1 të Durrësit, në rrugën “Mbretëresha Teutë” për pak sa nuk ka rrezikuar jetën e banorëve të tij.

Godina, e cila pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, u klasifikua me shkallë dëmi DS3 nuk i është nënshtruar rikonstruksionit të fasadës, njësoj si pallatet simotra me të njëjtën shkallë dëmi në qytetin bregdetar.

Dhe duket se rikonstruksioni i munguar i fasadës ka sjellë gjendjen aktuale, ku fati i shpëtoi banorët nga ndonjë tragjedi e mundshme.

Në videon e mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm” duken pllakat e shkërmoqura në hyrje të pallatit dhe shiritët e sigurisë të vendosura nga Policia Bashkiake, për të krijuar perimetrin e nevojshëm për evitimin e një situate të ngjashme në vijim. Ndërkohë dëmtime ka marrë edhe një makinë e parkuar para pallatit.

Nuk dihet se cila është arsyeja se pse autoritetet nuk e rikonstruktuan fasadën e godinës, e cila në gjendjen aktuale paraqet rrezik potencial për banorët.

Jashtë kamerës, banorët e pallatit apelojnë për ndërhyrjen urgjente të bashkisë, sepse përsëritja e një situate të ngjashme mund të shkaktojë viktima të pafajshme.

Jo më larg se disa javë më parë, bashkia e Durrësit përfundoi rikonstruksionin e fasadave të disa pallateve shumëkatësh në po të njëjtën lagje, të cilat kishin të shfaqur të njëjtën problematikë, si godina në videon e mëposhtme. Rikonstruksioni i suksesshëm u pasqyrua edhe në rrjetet sociale të kryebashkiakes Emiriana Sako.

M.B.