Një copë e madhe akulli është shkëputur nga 79N, e njohur si akullnaja më e madhe e mbetur në Arktik në Grenlandën verilindore. Akullnaja është afërsisht 80 kilometra e gjatë dhe rreth 20 kilometra gjerësi.
Imazhet satelitore tregojnë se pjesa e shkëputur e akullit është diku rreth 110 kilometra katrorë dhe duket të jetë e copëtuar në pjesë shumë të vogla. Shkencëtarët e quajnë këtë humbje si një provë shumë të madhe të ndryshimeve të shpejta klimatike që po ndodhin në botë.
“Atmosfera në këtë rajon është ngrohur me rreth 3 gradë Celsius që nga viti 1980”, tha Dr. Jenny Turton. Ajo është një studiuese në Universitetin Friedrich-Alexander në Gjermani dhe shtoi për BBC News se në vitin 2019 dhe 2020, kishte parë temperaturat rekord të verës.
Në skajin kryesor, akullnaja 79N ndahet në dysh dhe kishte një degëzim të vogël që kthehej drejt veriut. Ky degëzim ishte thyer rëndë në 2019-n, kurse ngrohtësia e kësaj vere ka bërë që të shpërbëhet përfundimisht.
Përveç kësaj, oqeanografët gjithashtu kanë dokumentuar temperatura më të ngrohta të ujit të detit që do të thotë se akullnajat po shkrihen edhe nga poshtë.
Profesori Jason Box nga Shërbimi Gjeologjik i Danimarkës dhe Grenlandës (GEUS) tha: Pas akullnajës Petermann që ndodhej në veriperëndim të vendit e cila në vitet 2010 dhe 2012 humbi një sipërfaqe shumë të madhe akulli, 79N u bë pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e akullit në Arktik.
Box shprehu shqetësimi se nëse klima do të vazhdojë të ngrohet në këtë mënyrë, ky rajon mund të bëhet një nga qendrat kryesore që do të ndikojë në shkrirjen e Grenlandës.