Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme rreth orës 21.30, kur në fshatin Xibër të Dibrës, është shkëputur një masiv shkëmbor duke rënë mbi një banesë, duke lënë të plagosur rëndë pronarin e saj.

Menjëherë ka shkuar grupi hetimor në vendin e ngjarjes ku kanë konstatuar se në lagjen "Mali i Zi", fshati Xibër-Murrizë, Mat, nga rreth 100 metra lartësi është shkëputur nga shpata e malit një masiv shkëmbor, duke çarë murin e banesës së shtetasit B.T, rreth 53 vjeç, ku për pasojë ky i fundit ka mbetur i dëmtuar rëndë.

Shtetasi B.T, pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Burrelit është nisur drejt spitalit të Traumës, Tiranës për ndihmë më të specializuar.

Policia bën me dije se në banesë ndodhej e gjithë familja dhe nuk ka të dëmtuar të tjerë përveç shtetasit B.T.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes ku vijojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.