Një projekt i ri, që vë në dispozicion 5,5 miljonë euro për të promovuar demokracinë vendore dhe aksionet civile, nisi sot, pas një marrëveshjeje midis qeverive të Zvicrës dhe të Shqipërisë. Kjo nismë e fundit quhet LëvizAlbania dhe synon të përmirësojë ndërveprimin e qytetarëve me qeverinë vendore dhe të rrisë transparencën dhe llogaridhënien nga ana e qeverisë vendore dhe qendrore. Marrëveshja është nënshkruar në Shkodëër, mes zëvëndëskryeministrit Niko Peleshi dhe ambasadorit zviceran Christoph Graf.

“Demokracia fillon në nivel vendor, që do të thotë në qytetet, fshatrat dhe lagjet tona,” – tha ambasadori zviceran Graf gjatë ceremonisë së organizuar. Ai i bëri thirrje grupeve civile, organizatave joqeveritare, medias, dhe aktorëve të pavarur që të afrohen me projektin për financim nëse kanë ide dhe propozime të cilat rrisin transparencën dhe qeverisjen e mirë.

Ndërkohë, zëvëndëskryeministri Peleshi, teksa falenderoi qeverinë zvicerane për ndihmën e akorduar, vuri theksin tek roli i rëndësishëm që luan shoqëria civile në forcimin e demokracisë në vend. “Një bashkëpunim ndërmjet qeverisë qëndrore, pushtetit lokal dhe shoqërisë civile e komunitetit në tërësi do të sillte një adresim më të mirë të problemeve që ka shoqëria jonë,” – tha Peleshi.