Kryeministri Edi Rama ka garantuar banorët e Shkodrës që preken nga ndërtimi i stadiumit se do të kompensohen për banesat e tyre me vlerën e tregut. Pas takimit që pati me kryebashkiaken Voltana Ademi në Bashkinë e Shkodrës, kryeministri Rama u shpjegoi banorëve të cilët e prisnin para Bashkisë dhe kërkonin me insistim ta takonin, se ndërtimi i stadiumit është i pashmangshëm.
"Ka një standard për stadiumin, është investim i konsiderueshëm dhe çdo gjë që na kërkon UEFA duhet ta zbatojmë. Çdo shtëpi që do preket do kompensohet me vlerën e tregut. Kemi listën që na ka lënë qeveria Berisha, çdo gjë do dëmshpërblehet sipas ligjit," – tha kryeministri Rama.
Krahas banorëve që preken nga stadiumi, para Bashkisë se Shkodres ishin mbledhur edhe persona të tjerë që kërkonin dëmshpërblim për përmbytjet.





