Sot, në ditën e mësuesit, kryeministri Edi Rama zgjodhi Gjimnazin “28 Nëntori”, në Shkodër, i cili është në kujdestarinë e tij, për të përcjellë nga aty urimet e tij për të gjithë mësuesit shqiptarë, që kontribuojnë në institucionet arsimore të vendit, por edhe ata mësues që në vite kanë përmbushur me sukses misionin e tyre fisnik. I njohur si një institucion model në përçimin e dijes tek brezat e rinj, Gjimnazi “28 Nëntori” me 750 nxënës dhe një staf prej 43 mësuesish është vlerësuar  nga  Ministria e Arsimit, për vitin shkollor 2014-2015, si  shkolla e parë në vend për rezultatet më të larta.

Kryeministri Rama dhuroi lule për mësuesit dhe bisedoi me ta mbi ecurinë e projekteve të ndryshme që kjo shkollë ka ndërmarrë së fundmi. Ministrja e arsimit Lindita Nikolla, e cila shoqëronte kryeministrin në këtë vizitë, vlerësoi punën e bërë në vazhdimësi nga stafi mësimdhënës, ndërsa dha për ta lajmin e mirë se ata janë renditur të parët për nga niveli i dijes dhe performimit të mësuesve.

Duke premtuar mbështetje për çdo nxënës të shkëlqyer, kryeministri Rama uroi për suksese të mëtejshme në punën e tyre. "Edhe ajo vajza që shkoi në Turqi ka dalë shkëlqyeshëm atje bashkë me tre të tjera. Kur ne ishim atje, takuam rektorin bashkë me pedagogët dhe na thanë se nëqoftëse janë kështu nxënësit në Shqipëri, me dhjetra, na bini edhe të tjerë. Kështu që këtë vit me siguri ne do të gjejmë mundësinë për një nxënës apo nxënëse tjetër që të marri prapë bursë. Unë ju falënderoj edhe njëherë. Për çdo gjë, ne jemi pranë shkollës dhe unë personalisht e kam për nder që më çfarëdo të jetë e mundur tu mbështesim. Ato projekte nuk diskutohen, por edhe për çdo gjë tjetër ne jemi në dispozicion. Kështu që shumë faleminderit për atë që bëni. Shumë suksese në mbyllje të këtij viti. Fat i madh për nxënëset dhe nxënësit që ju kanë juve," – tha kryeministri Rama.