SHKODER,24 tetor 2013 – "Kam harruar patentën. Duhet të kthehemi se kam frikë mos na ndalë policia". Këto kanë qenë fjalët që 18-vjeçari Osman Meraja u ka thënë shokëve të tij para se të kthehej në mes të rrugës për t'u takuar me vdekjen pak minuta më pas. Sipas burimeve nga grupi hetimor që po punon për zbardhjen e aksidentit të rëndë ku humbën jetën 5 të rinj maturantë, ata kishin festuar deri në mesnatë në Shkodër ditëlindjen e një shoku, e më pas kishin menduar të shkonin në Shëngjin për të pirë kafe buzë detit. Janë nisur drejt Lezhës dhe kanë udhëtuar deri në Gjadër, por aty shoferi i makinës, 18-vjeçari Meraja, është kujtuar se nuk kishte patentën me vete dhe është kthyer, ku pak minuta më vonë është përplasur me kamionin. Hetuesit kanë mundur të zbardhin këtë detaj nga bisedat me shokë të viktimave, të cilët kishin komunikuar deri në minutat e fundit me ta. Vdekja tragjike e 5 të rinjve shkodranë i ka shokuar të gjithë. Njerëz të panumërt, buqeta dhe kurora me lule kanë shoqëruar dje 18-vjeçarin Osman Meraja për në banesën e fundit. Ai luftoi me vdekjen për disa orë, ndryshe nga katër shokët e tij, të cilët humbën jetën në vend. Ndërkohë nga të dhënat mjekësore në Spitalin e Shkodrës ka rezultuar se 18-vjeçari që ishte shofer nuk kishte qenë nën efektin e pijeve alkoolike, duke përjashtuar kështu pistën se të rinjtë kanë qenë të dehur. Humbja e rëndë e 5 djemve është përjetuar shumë keq nga shokët e moshatarët e tyre. Të martën e 'zeze' nxënësit e shkollave ku mësonin 5 të rinjtë nuk kanë bërë mësim, por as dje, ata nuk kanë mundur t'i kthehen normalitetit. Pas një prezence fiktive në bankat e shkollave, nxënësit kanë marrë pjesë në ceremonitë e dy viktimave, Orlen Meçe dhe Osman Meraja. Përveç shokëve të 5 djemve, ngjarjen e ka përjetuar rëndë edhe stafi pedagogjik. Albana Bushati, drejtoresha e gjimnazit "28 Nëntori", njëkohësisht mësuese e Xhenit, Orlenit dhe Osmanit, në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", rrëfen mes lotëve momentet e vështira që po kalojnë të gjithë. Në aksidentin tragjik që ndodhi mëngjesin e së martës humbën jetën Raelv Dyli, 17 vjeç, Xheni Anamali, Ledio Pirani, Orlen Meçe, Osman Merja, të katër 18 vjeç.
Znj. Albana pas humbjes tragjike të 3 nxënësve tuaj, a është zhvilluar normalisht procesi mësimor?
Ka qenë e pamundur që të bëhet mësimi si zakonisht. Nxënësit kanë humbur tragjikisht shokët e tyre dhe për ta ishte e pamundur të vazhdohej mësimi. Janë shumë të tronditur ende dhe nuk arrijnë ta besojnë atë çfarë ka ndodhur. Shpërthejnë në lot sapo e kujtojnë dhe zhvillimi i një procesi mësimor normal ka qenë i pamundur.
Po stafi pedagogjik, mësuesit e tre djemve si e kanë përjetuar këtë ngjarje?
Edhe për ne mësuesit ka qenë shumë e vështirë. Jemi prindër vetë dhe përveç kësaj, jemi njerëz në radhë të parë. Në këto kushte menduam që të bënim mësim me orë të shkurtuara. Në klasa shihje vetëm nxënës që qanin dhe të trishtuar. Ishte e pamundur të mos e ndjeje dhimbjen për vdekjen e 5 fëmijëve, ata ishin ende fëmijë.
Si i kujtoni nxënësit tuaj, që tashmë nuk do të jenë të pranishëm mes shokëve të tyre?
Kam rreth 20 vite në këtë profesion dhe këto ditë kanë qenë më të vështirat e gjithë punës sime si mësuese. S'gjenim fjalë për të qetësuar nxënësit, e kishim shumë të vështirë të ngushëllonim familjarët. Kanë qenë fëmijë shumë të mirë, të qetë, të shoqërueshëm, me plot humor dhe përcillnin vetëm mirësi. Kjo e bën dhimbjen edhe më të madhe.
/Gazeta Shqiptare/
Shkoder:Viktimat u nisën për Shëngjin, Osmani: Kthehemi se nuk kam patentën
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Barazim mes Flamurtarit dhe Teutës në një ndeshje ku ndodh gjithçka, sherr me grushte, braktisje, përmbysje dhe gol në minutën e 97-të!
Dobi: Kisha kohë pa parë gjëra të tilla, pas incidentit u shpërfytyruam!
Biskotat e Krishtlindjes me limon, receta e vjetër me pak përbërës
Gjysma e shqiptarëve jashtë/ Të dhënat e Instat, 2.2 milionë jetojnë jashtë territorit, pjesa më e madhe të rinj





