Karabinierët italianë në Foligno arrestuan një 21-vjeçar shqiptar nën akuzën për trafik droge.
Gjatë një operacioni, oficerët ndaluan një makinë me qira, e drejtuar nga i riu që udhëtonte në ‘Via Bevagna’. Sjellja e tij ngjalli dyshime, teksa rezultoi se kishte shkuar në vendin fqinj si turist.
Një kontroll i mëvonshëm i personit dhe automjetit të tij i çoi karabinierët në gjetjen e 14 dozave kokainë, me një peshë totale prej 8 gramësh. Ata gjetën gjithashtu 330 euro në para të gatshme, me sa duket të ardhura nga trafikimi i drogës.
Menjëherë pas kësaj, i riu shqiptar u arrestua dhe u mbajt në qelitë e paraburgimit të Kompanisë së Karabinierëve të Folignos. Gjykatësi hetues i Gjykatës së Spoletos e vërtetoi arrestimin.
“Ky është një tjetër trafikant droge që ka ardhur në Umbria posaçërisht për qëllime trafikimi droge, duke përdorur makina me qira për të udhëtuar çdo ditë në zonat e trafikimit të drogës. E njëjta mënyrë veprimi, me një makinë me qira dhe një hotel për të qëndruar, të kompletuar me një vizë turistike”, thanë autoritetet për median e vendit fqinj.





