Një helikopter privat, që po fluturonte drejt një kampi bazë të Everestit për të shpëtuar alpinistë të bllokuar, u rrëzua ndërsa përpiqej të ulej, njoftoi zëdhënësi i Autoritetit të Aviacionit Civil të Nepalit, Gyanendra Bhul.
Sipas burimeve, piloti mbijetoi dhe u shpëtua më vonë, por ende nuk dihet nëse alpinistët arritën të shpëtoheshin.
Sipas vlerësimeve paraprake, përplasja e helikopterit u shkaktua nga reshjet jashtëzakonisht të dendura të borës që kanë goditur zonën. Për shkak të situatës, autoritetet e Nepalit dhe të Kinës mbyllën të mërkurën (29 tetor) qasjen për alpinistët në rajonin e Everestit.
Rajoni rreth majës më të lartë të botës po përballet këtë muaj për herë të dytë me një valë të fuqishme dëbore në Himalaje, ndërsa një ciklon që vjen nga Gjiri i Bengalit po përfshin njëkohësisht Indinë.
Autoritetet në Nepal kanë pezulluar aktivitetet malore në disa itinerare për shkak të shirave në zonat e ulëta dhe reshjeve të dendura të borës në lartësi më të mëdha.
Ato u bëjnë thirrje vizitorëve të mos vazhdojnë ecjet malore në zonat Annapurna, Manaslu dhe Dhaulagiri, ku ndodhen disa nga majat më të larta të botës. Për momentin, nuk dihet nëse ka turistë të bllokuar në zonën e Everestit.
Në fillim të tetorit, një stuhi dëbore kishte lënë qindra alpinistë të izoluar në anën lindore të Everestit, në anën tibetiane. Të gjithë u shpëtuan me sukses përmes një operacioni të madh shpëtimi që zgjati disa ditë, në kushte të temperaturave nën zero.
Për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura, mbi 50 persona kanë humbur jetën në Nepal.





