Pogradec, 28 gusht 2014 – Dy kushërinj rezultojnë të zhdukur në liqenin e Ohrit që nga mesdita e djeshme. Ardian Kosturi, 18 vjeç dhe Aleks Kula, 14 vjeç, nga fshati Libonik të Korçës, u deklaruan të humbur, pasi varka me të cilën kishin dalë në liqen u gjet bosh.
Adoleshentët kishin shkuar së bashku për disa ditë pushimi në Pogradec dhe dje kanë dalë me varkë në liqen. Një dëshmitar që ka parë ngjarjen i tha policisë se dalloi dy persona që notonin dhe kërkonin ndihmë duke bërë lëvizjet e personave që ishin në rrezik mbytje.
Dyshimi i parë i policisë është se dy të rinjtë janë mbytur në liqen gjatë notit. Ndërkohë që nga dita e djeshme kanë nisur kërkimet e polumbarëve në thellësi të liqenit për të rënë në gjurmë të trupave të dy të rinjve.
Policia po heton edhe pistën e një mbijetese të të rinjve me not, por nuk ka ende prova. Policia nxori mjetin lundrues në bregun e liqenit dhe brenda gjeti vetëm dy celularët e të rinjve dhe portofolat.
“Për momentin i kemi persona të humbur, pasi nuk ka prova për mbytjen e tyre, pavarësisht se në varkë ishin celularët dhe portofolat. Po vijojmë kërkimet me palombarë deri në gjetjen e trupave në thellësi. Po kërkojmë edhe në breg nëse liqeni mund t’i nxjerrë trupat”, thanë autoritetet e policisë vendore.
Po dje, policia ka shoqëruar dhe arrestuar dy persona që jepnin varka me qira, pasi u kanë dhënë mjetin lundrues personave nën moshën 18 vjeç. Të arrestuarit janë Ilia Shyta, 63 vjeç dhe Çelnik Zyferi, 65 vjeç.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





