Ish-mësuesi: Ndërtojeni këtë monument të dijes e të arsimit!
Shkolla e parë shqipe në Durrës, ajo e Ishmit që daton në 1913-n e largët, ka qënë djepi i arsmimit në këtë rreth, prej së cilës kanë dalë breza të artë, e të nderuar intelektualësh, që kanë përfaqësuar Shqipërinë denjësisht në shumë fusha, brenda e jashtë vendit.
Godina e cila u bë guri i themelit të arsimit në Ishëm të Durrësit, ka përfunduar në një gërmadhë pa identitet, si rezultat i indiferencës. Hasan Shahinaj është një prej ish-mësuesve të kësaj shkolle, në të cilën ka nxjerrë breza të tërë nxënësish. Ish-mësuesi në një moshë të thyer ka kurajën që të denoncojë shkatërrimin e shkollës së parë shqipe në Durrës.
Në një prononcim për mediat mësuesi i vjetër tregon se në këtë shkollë është ulur për herë të parë piktori me famë botërore, Ibrahim Kodra. “Aty ka mësuar dhe Tinka Kurti së bashku me të vëllanë. Shkolla përbën themelin e ndërtesës së arkivit kulturor të Durrësit. Indiferenca ndaj saj, lënia në degradim të plotë janë vërtet shokuese edhe pse atje funksionion një rrjet shkollash të tjera moderne”,- thotë ish-mësuesi.
“Nga kjo shkollë kanë dalë pesonalitete me kontribut në jetën politike dhe ekonomike të Durrësit nëmbarë vendin”,-shton ai. Ish-mësuesi Hasan Shahinaj këmbëngul që shkolla simbol, 100- vjetori i së cilës është festuar para disa viteve, duhet të restaurohet.
Ndërtesa e shkollës së parë në Ishëm ka funksionuar si shkollë deri në vitin 2000 me 4 klasat e fillores. Shkolla e vjetër me gjithë oborrin prej 400 m2 dhe ish-kopshtin pranë ka funksionuar me klasa moderne. Në vitin 2002-2003 ka qenë hartuar një projekt që ish-shkolla e vjetër të ndërtohej rishtas dhe të kthehej në qendër kulturore, ku ish-nxënësit e saj, tashmë të moshuar, të kalonin kohën e lirë .
K.H.