Një ditë pas inaugurimit të shkollës së rindërtuar në Durrës “Eftali Koçi”, Kryeministri Rama ka shpërndarë sot përmes rrjeteve sociale pamjet nga godina e re.

Sipas tij, kjo shkollë është rindërtuar me standardet më të mira falë mbështetjes së partnerëve të BE-së. Kjo shkollë ka hapur dyert për 650 fëmijë.

“Mirëmëngjesi  dhe me një tjetër shkollë të re, “Eftali Koçi” në Durrës, e rindërtuar me standardet më të mira me mbështetjen edhe të partnerëve tanë të BE, bashkë me kopshtin për më të vegjlit, që sapo kanë hapur dyert për 650 fëmijë, nxënës e mësues, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Dje gjatë përurimit të godinës arsimore ishin të pranishëm ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe përfaqësuesja e UNDP, Monica Merino. Krahas shkollës dhe kopshtit “Eftali Koçi” po ditën e djeshme u inaugurua edhe çerdhja nr.2, një tjetër godinë e dëmtuar nga tërmeti. Këto dy institucione janë dy prej 18 objekteve arsimore pjesë e Bashkisë Durrës, të cilat janë në fokus të “EU4Schools”.