Shkolla 'Naim Babameto' është një nga 21 shkollat e përzgjedhura në rang vendi, për të qënë pjesë e një projekti të Bashkimit Evropian, që ka për synim luftën kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor në Shqipëri.

Ishte drejtori i shkollës, Xhevdet Hoxholli, i cili bëri prezantimin e projektit me afat 1-vjeçar. Në këtë ceremoni morën pjesë mësues, prindër, të ftuar si dhe vetë nxënësit.

I panjohur si term, por jo si fenomen, bullizmi është gjithnjë e më i pranishëm në realitetin shqiptar. Bullizmi është dhunë e shtrirë në kohë, fizike ose psikologjike, e kryer nga një ose një grup individësh dhe e drejtuar kundër një individi, i cili nuk është në gjendje të mbrohet.

Sharjet, ofendimet, ngacmimet, kërcënimet, përndjekjet, shkatërrimi i sendeve personale janë vetëm disa nga format e shfaqjes së tij. Studimi i parë kombëtar është kryer në 141 shkolla nga të 12 qarqet e vendit me një kampion prej 2377 nxënës nga klasa e IV deri në të XII.

Në përfundim, 66 % e tyre kanë pohuar që kanë qënë viktimë e bullizmit dhe i kanë thënë dikujt.

Ky aktivitet, i cili sapo ka startuar është mënyra e duhur, për të mos bërë të paditurin, përballë këtij fenomeni. Ndodh shpesh që fëmijët të kthehen të mërzitur nga shkolla. Apeli ju drejtohet, prindërve për të qënë te kujdesshëm me fëmijët.

K.H.