7shtator 2015 – Nxënësja 13-vjeçare në një shkollë në Shefild, të South Yorks në Britaninë e Madhe, u ndalua nga drejtoria për shkak të modelit të flokëve. Ajo ka qethur flokët në një krah, duke i dhënë trajtën e një leopardi. Për shkak të dhunimit të uniformës shkollore, siç është argumentuar largimi, vajza nuk e ka frekuentuar më shkollën.

E ëma e saj, 34-vjeçarja Yvonne Mcdowell, reagoi me tone kritike për shkollën, duke thënë se po cenon të drejtat e njeriut. Mediat britanike i kanë dhënë hapësirë kësaj situate, duke vënë përballë dy palët. Nëna tregon se vajza i ka prerë flokët në këtë model gati 1 javë para se të niste shkolla, por nuk kanë të drejtë ta largojnë për flokët.

“Fëmijët duhet të lihen të zhvillojnë individualitetin e tyre. Vajza ime shkon mirë me mësime, nuk është problematike, pse duhet të ndalohet për modelin e flokëve?”, reagoi 34-vjeçarja. Ajo shton se nuk e ka ditur se në rregulloren e shkollës duhet të jetë dhe modeli i flokëve. Derisa debati të vazhdojë, 13-vjeçarja në fakt mbetet pa shkollë, edhe pse në Britaninë e Madhe ka 1 javë që ka nisur viti i ri mësimor.

/portali DurresLajm/