Në një vizitë të veçantë në shkollën jopublike 9-vjeçare dhe gjimnazin “Pavarësia” në Durrës, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, ka takuar nga afër koduesit e vegjël të kësaj shkolle, një ndër 43 institucionet arsimore jopublike që janë bashkuar në Programin e Kodimit me mbështetjen e AADF-së, për të pajisur fëmijët me aftësi digjitale që në moshë të vogël.

Gjatë ceremonisë ku u diskuta inovacioni në arsim dhe nevoja për aftësimin e të rinjve të qytetit të Durrësit me njohuritë e nevojshmë në Teknologji dhe Programim, ministrja vlerësoi arritjet e këtyre nxënësve dhe inkurajoi vazhdimin e zhvillimit të tyre personal dhe profesional në këtë fushë, e cila është e ardhmja jonë.

Në këtë vit arsimor shkolla “Pavarësia” ka sjellë si risi Shkollën Digjitale, një brand ndërkombëtar të kurseve të programimit, e cila është kompani private për trajnimin dhe edukimin e fëmijëve dhe të rinjve (mosha 7-18 vjeç) në Teknologji dhe Programim.

Me moton “Improvise CODE Overcome” vizioni i Shkollës është të pajisë fëmijët dhe të rinjtë me aftësitë e nevojshme për të pasur sukses në botën e sotme ku çdo profesion ështe i ndërlidhur me aftësitë digjitale.

Ministrja Muzhaqi ka shpërndarë certifikata për arritjet e nxënësve më të mirë të Shkollës Digjitale dhe shkollës “Pavarësia” në fushën digjitale, me një vizion për rininë 2030, me aftësi digjitale të shekullit XXI në Programim dhe Kodim.

Fokusi kryesor në Shkollën Digjitale qëndron në mësimdhënien e logjikës së programimit në mënyrë që programuesit e rinj të bëhen të pavarur në çdo gjuhë programimi që do të duhen të përdorin në të ardhmen e tyre duke i aftësuar kështu edhe në të menduarin kritik dhe në zgjidhjen e problemeve të cilat janë shumë të rëndësishme për përshtatjen në ndryshimin e shpejtë të trendeve në teknologji si edhe në jetë në përgjithësi.