Kryeministri, Edi Rama, në një aktivitet të zhvilluar ditën e sotme për prezantimin e risive, ka folur për rëndësinë e arsimit profesional në vend.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se është e nevojshme që drejtorët e shkollave të bashkëpunojnë me ato të zyrave arsimore në mënyrë që këto shkolla të kenë një numër sa më të lartë nxënësish.
Po ashtu kryeministri shtoi se infrastruktura në shkollat profesionale është përmirësuar ndjeshëm.
“Nuk dua të bëj një shtjellim të arsyeve pse situata në raport me arsimin profesional nuk është ajo që do të ishte e dëshiruara për nevojat që ka vendi sot, por e rëndësishme është të kuptohet që sot ne kemi mundësi ta adresojmë situatën me më shumë agresivitet sepse kemi investuar në mënyrë të arsyeshme. Ndoshta patjetër duhet më shumë dhe më shumë do të bëjmë, por aktualisht nëse i nxisim nxënësit që në numra të konsiderueshëm të integrohen në sistem, e bëjmë pa merakun se do shkojnë në shkolla ku nuk do të mund të marrin arsimin për shkak të kushteve. Ato janë përmirësuar ndjeshëm, duhet ta zgjerojmë infrastrukturën, por aktualisht kemi mjaftueshëm vend për fazën e parë e cila ka nisur, por që duhet të intensifikojë të gjithë aktivitetin tuaj. Këtu janë jo rastësisht drejtorët e shkollave të arsimit profesional me ato të zyrave arsimore, sepse është një punë e përbashkët.”
Rama theksoi se aktualisht janë 4 mijë vende të lira në sistem.
“Nëse sot kemi rreth 4 mijë vende të lira në sistem, ne do të thithim 4 mijë nxënës. Nevojat janë për shumë më tepër, ama nuk mund t’ju themi shtyni më tepër sepse do na duhet infrastruktura. Me atë ekzistuese kemi 4 mijë mundësi për nxënësit.”
Më tej Rama tha” “Këtu bëhet fjalë për të gjetur më të mirën për një numër të konsiderueshëm fëmijësh dhe për t’ju dhënë atyre një zanat. E njëkohësisht për të ndihmuar sipërmarrjet e atij territorit dhe gjithë vendit. Si do rriten pagat e mësuesve? Natyrisht me politikat e qeverisë, por pyetjen e bëj si rriten më shumë? Duke pasur më shumë ekonomi dhe të ardhura. Nëse kemi më shumë ekonomi nga turizmi dhe jemi drejtori arsimore në një zonë turistike, na takon apo s’na takon që të mendojmë si të rrisim kapacitetet e këtyre objekteve të industrisë së turizmit, në mënyrë që kjo zonë ku jetojmë vetë të marrë më shumë zhvillim edhe për shkak të kontributit tonë si sistem arsimor. Duhet bërë një shkëputje nga rruga rutinë dhe duhet hapur një rrugë e re, duhet mobilizim i gjithë trupës, që të ecim shumë shpejt. Objektivin duhet ta realizojmë me çdo mjet, s’mund të presim 4 vjet dhe të ecim me hapin e breshkës sepse tregu i punës është në kufirin e lëngimit. Sot s’të pyesin sa e do rrogën, po a vjen a s’vjen? Se nuk i kanë në radhë të rinjtë ose ata që janë të gatshëm të punojnë. Sigurisht duan dhe cilësi, jo të marrin njerëz që s’dinë të lidhin përparësen, por njerëz që kanë marrë një edukim”.