19 shkolla publike të Durrësit e nisën këtë vit të ri shkollor me oficerin e sigurisë të pranishëm brenda perimetrit të tyre.

Shërbimi i sigurisë është shtrirë kështu jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në ato të arsimit bazë, duke respektuar VKM-në e Këshillit të Ministrave, sipas së cilës, çdo shkollë me mbi 700 nxënës duhet të ketë një oficer sigurie.

Aleksandër Gjeci është një prej tyre.

Si drejtues i Rrjetit të Oficerëve të Sigurisë për ZA Durrës, ai na tregon se sfidat për garantimin e sigurisë brenda perimetrit të shkollës janë të shumta.

“Ne, nëpërmjet rolit tonë këshillues dhe edukues për ligjin, çdo ditë zhvillojmë orë informuese me këta nxënës për t’i njohur me problematikat që mund të sjellin fenomenet negative, që të mos bëhen pre e konflikteve, por për zgjidhjen e tyre tashmë kanë kujt t’i besojnë”, thotë ai.

Ndërsa më parë shihej me mosbesim, tashmë ky pozicion i ri pune po kthehet në një hallkë kyçe, në “zinxhirin” e gjatë të sistemit arsimor.

“Unë mendoj se çdo vit po bëhen hapa të rëndësishëm për krijimin e një klime të sigurtë dhe miqësore. Është rritja e ndërveprimit dhe më kryesorja bashkëpunimi i mirë që kemi, sepse oficerët e sigurisë shërbejnë dhe si ajo ura lidhëse ndërmjet të rinjve, policisë dhe shkollave për të bërë të mundur gjithë sa thamë më sipër”, u shpreh më tej për “DurrësLajm” Gjeçi.

Para nisjes së vitit të ri shkollor 2023-2024, ministri i brendshëm Taulant Balla paralajmëroi nga Durrësi forcim të Kodit Penal, për të dyfishuar dënimet ndaj personave që do të kapen duke shitur apo shpërndarë lëndë narkotike brenda perimetrit të shkollave.

Dyfishim dënimi pritet të kërkohet edhe për personat që kapen me armë pa leje në perimetrin e sigurisë së objekteve arsimore.

K.Gj.