10 nëntor 2015 – “Rrimë tre veta në një bankë, as nuk kthehemi, e as nuk rrotullohemi dot. Klasat janë tepër të vogla, ndërsa tani që vjen dimri, nuk arrijmë dot as të shikojmë librat apo të shkruajmë se nuk ka dritë në klasë, llambat i ndezim, por nuk bëjnë dritë që të shikojmë mirë librat. Pse duhet të rrimë tre veta në një bankë? Zihemi edhe me njëri-tjetrin, se në mes nuk do askush që të rrijë. Ai fëmijë që rri në mes, e tallim”, këto janë vetëm disa prej problemeve që ngrenë masivisht nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Durrës.

Lista e ankesave është e gjatë, ku çdo shkollë e kryesisht ato me fluks të madh nxënësish kanë probleme edhe më specifike.  

Statistikat e marra në Drejtorinë Arsimore Rajonale, tregojnë se pak shkolla në Durrës po përballojnë fluksin më të madh të nxënësve. Shpërndarja e tyre për Drejtorinë Arsimore bëhet në bazë të lagjeve. Sipas Drejtorisë Arsimore dhe statistikave, klasat shkojnë maksimumi deri në 30 nxënës. Askush nuk di të thotë se pse shkollat kanë një diferencë kaq të madhe në numrin e nxënësve që janë aty, por evident është fakti se ku ka dyndje dhe kërkesë për regjistrim, në ato shkolla edhe problemet në infrastrukturë, mësimdhënie e mësimnxënie, janë të mëdha.

Vendin e parë e zë “Marie Kaçulini” – 1116 nxënës

Vendin e dytë “Qemal Mici” – 1071 fëmijë

“Naim Babameto” në Spitallë – 1008 nxënës

“Shkolla e Re” Kënetë – 1006 nxënës

Shkolla 9-vjeçare Sukth – 930 nxënës

“Bajram Curri” 1 në Plazh – 919 nxënës

“Kushtrimi i Lirisë” – 960 nxënës

“Jusuf Ferra” në Nishtulla – 617 nxënës

Por shkolla të tjera brenda në qytet, në qendër të tij, kanë një numër 2 herë më të vogël apo edhe tri herë se shkollat e renditura në krye.

“Bedrie Bebeziqi” – 442 nxënës

“Jusuf Puka” – 446 nxënës

“Hajdar Dushi” – 264 nxënës

“Met Hasa” në Porto-Romano – 327 nxënës

Në të njëjtat nivele janë një numër i madh shkollash. Ndërsa, shkollat me numrin më të ulët të nxënësve janë kryesisht në periferitë e fshatrave veriore në Durrës.

Shkolla e Fushë Draçit ka të regjistruar 12 nxënës, dhe këta janë në një klasë kolektive, ku zhvillohet mësim kolektiv për të 12 nxënësit. Lalëzi, Gjuricaj e shkolla të tjera në skaje të rrethit të Durrësit, janë po ashtu me numër fëmijësh të reduktuar.

/K.H. portali DurresLajm/