Drejtorë shkollash, mësues, prindër, por edhe qytetarë ftohen nga bashkia Durrës të marrin pjesë në një dëgjesë publike për objektet arsimore që do të rindërtohen dhe që do të rikonstruktohen, pjesë e programit EU4Schools, financim i BE.

Bëhet fjalë për godinat arsimore; shkolla e mesme “Naim Frashëri”, Durrës, shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti”, Durrës, shkolla e mesme “Dhosi Liperi”, njësia administrative Sukth, Kopshti Bizë, njësia administrative Ishëm.

Dëgjesa publike do të zhvillohet ditën e premte (29 tetor), nga ora 09.00 deri në 12.00, në ambientet e Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”, Durrës.

Bashkia njofton se gjatë dëgjesës do të paraqiten projektet përfundimtare të zgjedhura nga dëgjesat publike të zhvilluara në objektet arsimore përkatëse.

Prej gati dy vitesh, këto institucione arsimore janë të mbyllura, pasi akt-ekspertizat e thelluara të Institutit të Ndërtimit i ka vlerësuar si godina për t’u shembur, sepse dëmet e shkaktuara nga tërmeti kanë qenë të konsiderueshme.