Në 24 orët e fundit në Spanjë janë regjistruar 325 të vdekur nga koronavirusi duke e çuar në 24 275 në total numrin e viktimave që prej nisjes së pandemisë.
Shifrat e fundit tregojnë për një rritje të lehtë të numrit të viktimave krahasuar me një ditë më parë, ku ishin 301. Numri i të infektuarve ka shkuar mbi 230 mijë, ndersa të shëruar janë 123 903 persona.
Plani i qeverisë spanjollë për zbutjen e kufizimeve do të shtrihet në 4 faza dhe parashikon një rikthim në normalitetin e ri nga fundi i qershorit. Kryeministri Pedro Sanchez tha se rajonet do t’i lehtësojnë masat me ritme të ndryshme, në varësi të ecurisë së pandemisë.
Prej 4 majit, kur mbaron dhe lock down-i në Spanjë do të lejohen shëtitjet dhe aktivitetet sportive edhe larg shtëpisë. Në fazat e tjera do të bëhet rihapja graduale e dyqaneve, deri në rikthimin përfundimtar në atë që Sanchez e quan normalitet i ri, në fund të qershorit.





