Ka shkuar në 300 numri i viktimave në aksidentin tragjik hekurudhor në Indi ku u përfshinë dy trena pasagjerësh dhe një tren mallrash. Aksioni i kërkim-shpëtimit është mbyllur. Autoritetet thonë se të gjithë pasagjerët e bllokuar dhe të plagosur janë nxjerrë.
Kryeministri Narendra Modi, i cili do të përballet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, vizitoi vendin e ngjarjes të shtunën dhe bisedoi me forcat e emergjencës.
Ende nuk ka një version zyrtar mbi shkaqet e këtij aksidenti që është cilësuar më i rëndi i këtij shekulli.
Sipas ministrit të Hekuradhave, dyshohet se dalja e trenit u shkaktua nga një gabim në sistemin e sinjalizimit elektronik që bëri që një tren të ndryshonte gabimisht shinat.
Me përfundimin e përpjekjeve të kërkim-shpëtimit, ka nisur puna për pastrimin e rrënojave.