Një 21-vjeçar italian është gjetur pa jetë në shtëpinë e tij në Modena. Vdekja e të riut mund të ishte evituar, pasi vetëm një ditë më parë ai kishte shkuar në spital, pasi ndjente dhimbje të forta në gjoks. Vetëm disa orë më vonë, mjekët i kishin thënë të largohej dhe t’i drejtohej mjekut të familjes.
Davide Bellimbusto u gjet i vdekur nga nëna e tij dhe partneri i saj. Pavarësisht se ata njoftuan ambulancën, 21-vjeçari kishte ndërruar jetë dhe s’mund të bëhej më asgjë për të.
Partneri i nënës së djalit të ri ka bërë të ditur se përmes një avokati ata do të denoncojnë spitalin, për të verifikuar nëse Davidit i ishin bërë apo jo të gjitha kontrollet e nevojshme.
“Nuk duam të hakmerremi, por të kuptojmë se çfarë ka ndodhur”,- ka thënë ai. “Në fillim ai mendonte se mund të ishte ndonjë problem me tretjen apo nga i ftohti. Por kur u kthye në shtëpi nga spitali vazhdonte të thoshte se ndoshta problemi ishte diçka tjetër”.
Vdekja e tij ka tronditur miqtë, pasi i riu nuk vuante nga asnjë sëmundje. Madje ai u kishte dërguar një foto të serumit të vendosur në krah dhe u kishte thënë se në darkë nuk do të dilte pasi nuk ndihej mirë.
Policia italiane ka nisur hetimin për rastin në fjalë.





