Jo të gjithë i kanë mundësitë të shkojnë në plazhe private e të bëjnë shpenzime të tepërta, por ama shteti duhet t’u krijojë hapësira për plazhe publike, që çdokush të shijojë detin dhe rërën, pa qenë e nevojshme të paguajnë para.

Zotëria që shihni në foto, ka preferuar të ngulë sot çadrën e tij në një nga plazhet që ndodhen në Gjirin e Lalzit.

Me sa duket, ky veprim nuk i ka pëlqyer aspak pronarit të plazhit aty pranë, i cili ka thirrur policinë për ta larguar nga aty, megjithëse duket që nuk i ka zënë aspak vendin, pasi ndodhet shumë pranë bregut dhe s’ka asnjë çadër apo shezlong.

Këtu kemi të bëjmë me uzurpimin e hapësirave publike nga ana e pronarëve privatë, të cilët as që duan t’ia dinë për popullin e thjeshtë dhe në pamundësi ekonomike, por vetëm për xhepat e përfitimet e tyre, të ndihmuar edhe nga policia.

Po në fund të fundit, i themi zotërisë në foto: “Pse kërkon kaq shumë more zotëri? Nuk ke para të paguash çadrën e shezlonin privat? Rri më mirë në shtëpi. Mos bëj plazh fare”. Me siguri këtë kanë qenë duke i thënë edhe policët...”, shkruan “Jeta osh qef” që publikoi foton e dërguar nga një prej plazhistëve.