ITALI, 20 mars 2013 – 27 kilogramë drogë u bllokuan nga policia italiane në portin Ankonës, në mjetin e një shqiptari që vinte nga Greqia.

Gjatë fazës së parë të kontrollit drejtuesi i mjetit, një i ri shqiptar i cili udhëtonte me nënën dhe të fejuarën e tij, shfaqi shenja nervozizmi duke deklaruar se ishte nisur drejt Romës për të kaluar disa ditë pushimesh.

Por gjatë kontrollit të mjetit u zbuluan 26 pako marijuanë të fshehura në pjesën e pasme të mjetit me peshë totale 26.65 kilogramë.

I riu shqiptar u arrestua nga policia dhe u dërgua në ambientet e paraburgimit, ndërsa u shoqëruan edhe dy bashkëudhëtaret e tij.

Nga hetimet e policisë rezultoi se droga kishte si destinacion kryeqytetin italian, Romën dhe nga shitja e saj do shënohej një fitim prej afro 270 mijë euro.