Shkon të takojë të afërmit në Itali, por përfundon e rrëmbyer në rrugë, përdhunuar dhe lënë 4 ditë pa ngrënë që të detyrohej të bënte prostitutën. Rrëmbyesi, po shqiptar, 42-vjeçar, tashmë është në burg me akuzën e rrëmbimit dhe përdhunimit. Kjo është historia e një vajze shqiptare, 17-vjeçare, që u nis të kalonte festat e fundvitit me të afërmit. Mediat italiane raportojnë sot historinë e saj pa i cituar emrin, por duke mos harruar të theksojnë rrëmbyesin dhe përdhunuesin, 42-vjeçarin shqiptar Besnik Barashima.

“Vajza 17-vjeçare, e cila ishte në Itali prej pak javësh e ftuar nga të afërmit, del për të bërë një shëtitje dhe nuk kthehet më”. Kështu nis shkrimin reportweb.tv. Të afërmit kujtojnë se po vonohet, dikë ka takuar, por kur ajo nuk po dukej vunë alarmin në polici. Karabinierët nisin hetimet, që nga të njohurit që mund të kishin informacione, pyesin në vendet ku mund të kishte shkuar vajza për të gjetur ndonjë gjurmë të saj.

Ndërkohë, tek të afërmit vjen njoftimi se vajza është shëndoshë e mirë, por kërkon pasaportën. Këtu nisi dyshimi, pse nuk duhet të vinte për ta marrë vetë pasaportën. Nis një tjetër hetim, policia vëzhgon të interesuarit për pasaportën e vajzës. Lajmërojnë familjarët që të veprojnë të qetë, të dalin e të takojnë kë kërkon pasaportën. Ndërkohë policia vëzhgon. Në takim vjen një grua, i jepet pasaporta dhe ajo menjëherë, në një tjetër vend e dorëzon atë tek një burrë. Aty ndërhyn policia, kërkon t’i shpien te vajza. Nuk u bindën menjëherë, por në fund dorëzohen. Gruaja pranon se ishte detyruar të bënte ndërmjetësen, burri përfundon në komisariat. Merr fund kështu edhe vuajtja e adoleshentes. Ajo pasi u lirua tregon se ishte përdhunuar, dhunuar dhe ishte lënë pa ngrënë për 4 ditë, që të pranonte të bëhej prostitutë.