Nga Artan Fuga**

A shkohet në Beograd në këto kushte?

Ca e kujtojnë se, të shkosh për vizitë e bisedime në shtetin fqinj, është si të shkosh për turizëm.

Kam frikë se disa i ngatërron edhe vetë fjala ‘vizitë’, se ne, shqiptarët, për vizitë shkojmë te miku, kushëriri, burri i tezes, vajza e hallës, pra te njeriu që do. Na ngatërron kodi i shtëpisë, sepse në zakonet shqiptare gjithçka e tjetrit quhet si shtëpia e tij.

Dhe madje ngatërrohemi me top e dron nëpër këmbë, sepse duket se, kur shkon dikush te dikush përulet, sepse ai tjetri është pritësi dhe pritësi, i zoti i dasmës, bën ligjin.

Ore do t’i shohim këta folkorizma në sy ne apo do të bëjmë politikë sipas kodeve kanunore?

Mjaft duke bërë letërsi dhe poezi, në vend të politikës. Politika ka filozofi tjetër…

Jo ore jo, politika ka të tjera ligje dhe rregulla. Nuk bëhet si ndeshje futbolli as si dasmë.

Shkon te tjetri edhe kur nuk e ke hiç mik.

Shkon se tregon se je i çlirët nga çdo inferioritet, shkon jo për të bërë qokë, por për t’u ballafaquar, për ta kuptuar se çfarë thotë nga afër, por edhe për të parë se deri ku mund të shkojë e keqja ose sa janë mundësitë e sprapsjes të saj, tregon trimëri dhe zgjuarsi, sepse t’i thotë të vërtetat në sy mu në ‘shtëpinë’ tënde.

Ore, mos u bëni naivë, bisedime shqiptarët e Kosovës kanë bërë me serbët në qindra vjet dhe kjo nuk i ka penguar të afirmojnë identitetin e tyre.

Ne jemi ndikuar shpesh edhe nga e kaluara ku me tetë pika zhduknim Kinën, me pesë akuza zhduknim BS, me një deklaratë nuk pranonim marrëdhënie as me Amerikën, as me Anglinë, ore, ne të heqim, tamam forma paranojake.

Ore edhe Izraeli dhe Hamasi bisedojnë, të bisedosh është po aq betejë politike sa edhe forma të tjera.

Mosbisedimi është zhdukje e tjetrit nga fusha pamore, sikur ai të mos ekzistojë, dhe psikologet e dinë shumë mirë që një qëndrim i tillë është një formë paranoje.

Ne sfidojmë duke shkuar, frikë ka ai që nuk i hap derën komshiut, jo komshiu që vjen dhe thotë: hajde bisedojmë të shohim se çfarë mund të bëjmë për një bashkëjetesë ku askush të mos bezdisë tjetrin.

I forti t’i thotë gjërat në sy, në mulli, në shtëpi, në shesh të mejdanit.

Ca kërkojnë të nxjerrin përfitime duke thënë: mos shko. Po mirë, po tregti dhe marrëveshje me serbët kanë bërë këta ndonjëherë…

Komunikimi nuk është miqësi, komunikimi është gjithmonë tension dhe krizë. Edhe kur i thua mirëmëngjesi tjetrit, hollë-hollë, dëshiron të matësh se çfarë qëndrimi ka ai ndaj teje.

Kush është trim, ai që shkon ballafaqohet me kundërshtarin, apo ai që i shmanget?

Amani, se na çmendët duke i kthyer gjërat përmbys…

Ca diplomate të kulluar dhe që njohin protokollin sikur të kenë shërbyer te Mbreti i Persisë, thonë: jo, prit të qetësohen muhabetet pastaj të shkojë… Po në kushte të qeta çfarë dobie ka të shkosh? Apo kot, sa për të ngrënë ndonjë plas-kavicë…

* Marrë nga statusi në Face book. Titulli dhe qortimi i gabimeve janë të“Dyrrah”-ut.

** Personalitet i shquar i shoqërisë civile. Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, mban titullin “profesor”. Ka mbrojtur gradën e doktorit të shkencave në Shqipëri, në filozofi, si dhe në Francë, në fushën e shkencave të komunikimit dhe të informimit. Më pas, po atje, bëhet titullar i diplomës së doktorit të habilituar në shkencat humane dhe sociale (filozofi). Ka kualifikimin “Profesor i universiteteve”, dhënë nga Këshilli Kombëtar i Universiteteve në Francë. Aktualisht është pedagog në Universitetin e Tiranës.

Pjesëmarrje në ekipe ndërkombëtare kërkimi shkencor: 1. Sfera publike evropiane, projekt shkencor i financuar nga Komisioni Evropian (2007 – 2011) 2. Politikat e fqinjësisë në Evropë, projekt i financuar nga Egide, Francë (2008 – 2009) 3. Qytetet kufitare dhe kufijtë midis qyteteve, bashkëdrejtues projekti, financuar nga laboratori LADYSS (CNRS – Universiteti Paris – 10, Francë)

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/