Të tjera detaje jan bërë me dije për ngjarjen e mbrëmshme kur dy të rinj u transportuan me urgjencë në spital me plagë të rënda në trup.

Mësohet se Alban Baxheri, i plagosuri më rëndë dhe që është dërguar në spitalin e Janinës, dyshohet të jetë qëlluar nga 3 shtetas.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23.00 në një rrugicë mes pallateve në qendër të qytetit bregdetar, në lagjen nr.1.

Të njëjtat burime saktësojnë për BalkanWeb se i plagosuri tjetër është pjesë e grupit prej 3 vetash që kanë goditur Baxherin. Autorët, siç konfirmojnë burime konfidenciale janë pronarë të një biznesi në Sarandë.

Gjatë sherrit janë përdorur mjete prerëse si thika, por edhe shkop bejsbolli dhe gozhdë me të cilat janë qëlluar palët.

Ndonëse është transportuar në Janinë, Baxheri vijon të jetë në gjendje të rëndë

NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 17.08.2017, rreth orës 23:30, në Sallën Operative Sarandë ka ardhur një njoftim se në lagjen “Nr.1″, pranë gjykatës, janë duke u konfliktuar fizikisht, disa shtetas.

Policia ka shkuar në vendngjarje ku ka konstatuar se ishin konfliktuar me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasit A.L., A.S dhe F.T., me shtetasin A.B. Në momentin kur kanë mbritur shërbimet e Policisë, në vendngjarje Policia ka konstatuar shtetasit A.L, F.T dhe A.B. Ndërsa shtetasi A.S., ishte larguar nga vendi i ngjarjes me automjet dhe gjatë largimit ka dëmtuar edhe disa automjete të tjera.

Si pasojë e konfliktit ishte dëmtuar dhe u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën shtetasi A.L. Ndërsa shtetasi A.B ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar për ndihmë mjekësore më të specializuar në Spitalin e Janinës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë bërë zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes, si dhe kapjen e ndalimin e shtetasit Albjon.S., i cili ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Gjatë kontrollit që policia ka ushtruar në banesën e këtij shtetasi, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri me 5 fishekë, dhe një armë e ftohtë (dorëzë dore).

Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
Adriatik L, 18 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”,
Flavio T, 21 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”,
Arben B, 32 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, dhe
Albjon S, 24 vjeç, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Shkatërrim i pronës”, të parashikuara nga nenet 88, 89, 150, 278 dhe 279 të Kodit Penal.