Tiranë, 15 shkurt 2014- Kundrejt prononcimit në media të Artan Shkrelit e Artan Lame, të bërë gjatë ditës së sotme në lidhje me heqjen e kangjellave që rrethojnë presidencën, ka reaguar zyra e shtypit e presidentit. “Zyra e Shtypit të Presidentit të Republikës shpreh keqardhje për vërejtjet, krejtësisht të pavenda, spekulative dhe të paprincipta, që dy zyrtarë të lartë të Qeverisë të cilët mbajnë respektivisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t dhe Këshilltarit të Kryeministrit, bënë sot në mesditë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj Institucionit dhe vetë Presidentit të Republikës. Lidhur me veprimet që po kryhen për sistemimin e një pjese të rrethimit të godinës së Presidencës, me përgjegjësi institucionale qartësojmë për publikun se nuk parashikohet heqja e rrethimit te godinës së Presidencës. Godina e Presidencës, Monument Kulture i kategorisë së dytë, shpallur ligjërisht e tillë në vitin 2007, deri më sot me pamje të jashtme të bunkerizuar dhe aestetike, rrethohet me kangjella metalike me probleme evidente të gërryerjes korrodive. Këto probleme njiheshin, por u shfaqën edhe më tepër dhe u konstatua se ishin të papranueshme pas heqjes së bimësisë që mbulonte pamjen e Institucionit më të rëndësishëm të vendit. Sistemimet mbi atë rrethim dhe ato kangjella po bëhen me synimin e vetëm përmirësimin e pamjes së jashtme të godinës së Presidencës, harmonizimin funksional dhe estetik të asaj godine me hapësirat urbane rreth saj, për të bërë të mundur në këtë mënyrë, mes tjerash, hapjen dinjitoze të Institucionit për vizitorët vendas dhe të huaj. Presidenti i Republikës, i habitur dhe i lënduar skajshëm me nostalgjizmin sovjetik të kritizerëve, siguron se gjatë këtyre punimeve restauruese, në asnjë rast, në asnjë fragment dhe për asnjë çast, nuk është fjala për asnjë tjetërsim estetik dhe asnjë prekje trashëgimie, dhe shpreh keqardhjen e thellë njerëzore dhe institucionale për këtë sulm politik të radhës”, shkruhet në reagimin zyrtar të Presidencës. Kujtojmë se kundër prishjes së kangjellave rrethuese të Presidencës, në emër të forumit për Trashëgiminë Kulturore, kanë reaguar ditën e sotme Artan Shkreli e Artan Lame. Sipas tyre, ky rrethim dhe kangjellat, të cilat janë duke u prishur, janë pjesë e arkitekturës monumentale të godinës dhe nuk duhet të preken. Gjatë një deklarate për mediat, ata i bënë thirrje kreut të shtetit të bllokojë punën për heqjen e tyre. “Është zgjedhur dita e shtunë që të kalonte në heshtje kjo punë. Në qoftë se duhej të hiqej rrethimi duhet ti drejtohet Këshillit Kombëtar të Kulturës që drejtohet nga zonja Kumbaro. Këtu është ulur injoranca këmbëkryq. Presidenti i Republikës të pengojë shkatërrimin e kangjellave. Rrethimi është pjesë e identitetit të godinës prej 6 dekadash”, deklaroi përpara mediave Shkreli. Në vijim të fjalës së Shkrelit, Lame u shpreh: “Na thanë që janë të kalbura dhe duhen shkulur, ndërkohë ato janë shumë në rregull. Ky rrethim është i shëndoshë”.
Shkreli: Kangjellat nuk duhet të preken, reagon Presidenca
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
BBC: A po i dëmton Inteligjenca Artificiale aftësitë tuaja të të menduarit?
Nora Istrefi dhe Robert Berisha e çojnë raportin e tyre në një nivel tjetër
Michelle Obama prezanton librin rreth jetës së saj
Broja shënon gol dhe shpëton Burnley-n, trajneri: Do më pyesin pse nuk e aktivizova që nga fillimi





