Duke nisur nga sot 1 maj, shkrihen dhe pushojnë së funksionuari, 9 gjykata të Shkallës së Parë në rrethe.
Sipas hartës së re gjyqësore, do të mbeten vetëm 13 Gjykata të Shkallës së Parë, ajo e Beratit, Dibës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit, Lezhës, Sarandës, Shkodrës, Tiranës dhe Vlorës.
Ndërsa 9 Gjykatat e Shkallës së Parë të Tropojës, e Matit, Kurbinit, Krujës, Pukës, Lushnjes, Kavajës, Përmetit dhe Pogradecit, mbyllen dhe bashkë me to, pushojnë së ekzistuari dhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore.
Në këtë kuadër, dosjet e Tropojës do të transferohen në Kukës, të Matit në Dibër, të Kurbinit në Lezhë, të Pukës në Shkodër, të Krujës në Tiranë, të Kavajës në gjykatën e Durrësit, të Lushnjes në Fier, të Përmetit në Gjirokastër dhe të Pogradecit në Korçë.
Pas kësaj faze të dytë të implementimit të hartës së re gjyqësore (e miratuar më 21 korrik 2022), hyn më 1 korrik në fuqi faza e tretë, e cila parashikon reduktimin e të gjitha Gjykatave Administrative në dy, atë të Tiranës dhe Lushnjes.
Më herët, në muajin shkurt u aplikua faza e parë e hartës së re, e cila reduktoi në 1 Apel të juridiksionit të përgjithshëm, të 6 apelet në vend. Dosjet e 5 gjykatave të Apelit, asaj në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër transferohen në Apelin Kombëtar.
Në rrethe mbeten të hapura zyra informacioni për qytetarët, ku do të mund të depozitohen vetëm kërkesat.
Të gjitha çështjet gjyqësore të cilat nuk kanë përfunduar, do të transferohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe do të rindahen me short elektronik, ku do të përcaktohet gjyqtari që do t’i shqyrtojë.
Ndërkohë, çështjet gjyqësore të transferuara, për të cilat ka filluar apo është planifikuar shqyrtimi gjyqësor në Gjykatat e Apelit Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë, nuk do t’i nënshtrohen rindarjes me short, por do të vijojnë të shqyrtohen nga të njëtët gjyqtarë.
Harta e re gjyqësore do të funksionojë me 16 gjykata në total, 12 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative. KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, duke hequr pesë gjykatat Administrative që do jenë në vetëm dy, një në kryeqytet dhe një në qytetin e Lushnjes dhe duke lënë vetëm 12 gjykata të Shkallës së Parë nga 22 që ishin.