Prokuroria për Krime të Rënda “shkrin” Stacionin e Policisë se Portit Durrës. Burime te rezervuara shprehen për “BalkanWeb” 18 punonjës policie e doganierë, përfshirë edhe Shefin e Stacionit Policor të Portit janë arrestuar, në vijim të hetimit të nisur pas kapjes së një kamioni me 8 tonë drogë në Itali.

Burimet thonë se janë arrestuar edhe disa doganierë, te dyshuar se kanë krijuar mundësitë për kalimin e kamionit në drejtim të Italisë. Ky operacion duket se ka qenë edhe qëllimi i vizitës urgjente të premten në Prokurorinë e Durrësit, të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili shoqërohej nga kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj.

Operacioni për arrestimin e tyre është zhvilluar gjate pasdites së të dielës. Mes të arrestuarve mësohet se janë zyrtarë të lartë të kufirit dhe portit. Arrestimet po mbahen sekrete sikurse edhe emrat e zyrtareve të vënë në pranga.