TIRANE,16 tetor 2013 – Rastet e dekonspirimit të aksionit të Policisë së Shtetit kundër lojërave të fatit, kanë verifikuar dyshimet për lidhje të efektivëve të policisë me pronarët e kazinove të paligjshme në të gjithë vendin. Në një konferencë për shtyp, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri njoftoi vendimin për shkrirjen e seksionit të krimit ekonomiko-financiar dhe pezullimin e të gjithë efektivëve të këtij seksioni. 
Sipas ministrit Tahiri, pas verifikimit të punës dhe pasurisë së të gjithë efektivëve, do të rikthehen në punë të gjithë ata që rezultojnë se e kanë kryer punën me ndershmëri, ndërsa të tjerët do të përballen me drejtësinë ose do të përjashtohen nga Policia e Shtetit. 

“Patëm rastin të evidentojmë vetë dekonspirimin. Vendosëm të shkrihet seksioni i krimit ekonomiko-financiar në gjithë drejtoritë e qarqeve. Të gjithë efektivët pezullohen dhe do ti nënshtrohen një hetimi, lidhur me lejimin e paligjshmërisë së lojërave të fatit, deri te deklarimi dhe verifikimi i pasurisë për secilin efektiv në këto seksione. Efektivët e policisë së Seksioneve të Krimit Ekonomiko – Financiar në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, të cilët pas verifikimit do rezultojnë se kanë bërë detyrën ndershmërisht, do rikthehen menjëherë në detyrë. Ata që do rezultojnë se nuk kanë bërë detyrën ose janë përfshirë në aktivitete të paligjshme, do jenë subjekt të masave administrative ose do përjashtohen nga Policia e Shtetit dhe do i nënshtrohen hetimit penal.”- u shpreh ministri Tahiri. 

Ministri i Brendshëm theksoi vendosmërinë e Policisë së Shtetit, të kryeministrit Rama dhe të tijin personal "për të luftuar dhe fituar betejën me paligjshmerinë. për të kthyer rendin dhe qetësinë publike dhe për të arritur rezultate kundër krimit dhe korrupsionit në vend".

"Ne jemi krah me qytetarët dhe bashkë me qytetarët do ta luftojmë betjën me të keqen”- theksoi Tahiri.

Gjithashtu, ministri Tahiri nënvizoi se me operacionin "Fund Marrëzisë" është hedhur një hap i ndershëm në rikthimin e rregullave të ligjshmërisë për sipërmarrjen. 

“Kemi dhënë shenja të vullnetit tonë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke përmbushur aspiratat e shqiptarëve për sundimin e ligjit. Falenderoj Ministrinë e Financave, administratën tatimore dhe drejtorinë e lojërave të fatit, për angazhimin tyre në këtë aksion ekzemplar. Falenderoj edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, të cilës i ra barra ta fillojë detyrën me një aksion masiv si ky që u zhvillua dhe po vazhdon me lojërat e fatit”- përfundoi ministri i Brendshëm.