Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme do të shkrihet, ndërsa Policia e Shtetit dhe Garda do të kontrollohet nga një strukturë e re, e cila do të quhet Agjenci e Mbikëqyrjes Policore.

Kështu parashikon projekt/ligji i përgatitur nga Ministria e Brendshme të cilin e prezantoi në Komisionin e Ligjeve Ministri Bledi Çuçi.

Çuçi: Do jetë një Agjenci  Inteligjente për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar veprimtarinë e paligjshme në radhët e subjekteve të Agjencisë. Transformimin e Agjencisë drejt një modeli më demokratik dhe institucional.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të ketë më shumë kompetenca se sa SHÇBA. Konkretisht, Agjencia ka si objekt parandalimin, zbulimin dhe hetimin e shkeljeve administrative dhe veprave penale në polici, gardë dhe sherbimin zjarrfikës, inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave,si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie.

Çuçi: Sa i takon risive të projekt/ligjit, në radhë të parë është zgjeruar fusha e përgjegjësisë. Tashmë sot ajo që quhet SHÇBA dhe pas miratimit të ligjit do të quhet Agjenci në fushën e përgjegjësisë do të shtohen dhe subjekte të tjera si Garda e Republikës apo Shërbimi Zjarrfikës përveç Policisë së Shtetit që është deri më tani. Edhe ndryshimi i emrit ka kuptimin e vet.

Detyrat e reja të Agjencisë janë Vetingu dhe certifikatat e sigurisë. Këto detyra, Agjencia do t’i kryejë përmes përdorimin të testit të së vërtetës (ekzaminimin poligrafik), hetimeve penale dhe inspektimeve.

Çuçi:  Risi tjetër është kalimi në një strukturë civile, zhveshja nga gradat dhe krijimi i strukturës civile në një qëllim të qartë karriere dhe duke shmangut konfliktin e interesit me subjektin që mbikqyr. Unifikon të gjithë punonjësit në të drejta dhe detyrime që në legjislacionin aktual nuk e gjen një të tillë pasi disa nga të drejtat dhe përfitimet suplementare i gëzojnë vetëm punonjësit me grada. Kemi synuar ti unifikojë këto të drejta dhe benefite. Risi tjetër është se ky legjislacion përcakton detyrimet që rrjedhin nga aktet ligjore, të miratuara ndërkohë, si ai për vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve mbikqyrëse.

Risi tjetër është veprimtaria verifikuese pëer pajisjen me certifikatën e sigurimit të përsonelit të subjekteve. Ky detyrim ka lindur dhe pas mirtatimit në 2015 të vendimit të qeverisë për miratimin e rregullave të sigurimit të personelit, i cili i jep të drejtën Agjencisë si autoritet verifikues për pajisjen me certifikatë sigurie të subjekteve që për shkak të detyrës duhet të njihen me informacion të klasifikuar. Aktualisht veprimtaria e pajisjes me certifikatë ndiqet nga policia dhe SHÇBA. Ndjekja në këtë mënyrë e këtij procesi ka ndikuar në krijimin e hapësirave abuzuese. Nga inspektimet e SHÇBA në polici janë identifikuar një sërë problemesh.

Projekt/ligji është depozituar në Kuvend në legjislaturën e kaluar, në shkurt. Mbledhja e sotme në Komisionin e Ligjeve ishte vetëm për prezantim, pasi diskutimi dhe miratimi në parim do të bëhet në një seancë tjetër.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat u krijua me ligj në vitin 2014, duke zëvendësuar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB).