KOSOVE – Letërsia e Kosovës po vazhdon të injorohet në Tiranë. Derisa shkrimtarët e Shqipërisë marrin shpërblime në Kosovë, ata të Kosovës nuk arrijnë të shtinë në dorë as ndonjë çmim të dorës së dytë që jepet përtej kufirit. Kjo u dëshmua ditët e fundit kur asnjë shkrimtar nga Kosova nuk u vlerësua me ndonjërin prej çmimeve kombëtare të letërsisë, të cilat jepen nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Kjo nuk u ka pëlqyer aspak shkrimtarëve kosovarë, të cilët thonë se refuzimi dhe injorimi i letërsisë që krijohet jashtë kufijve të Shqipërisë nuk i kontribuon krijimit të një letërsie integrale shqipe.

Për shkrimtarin Ag Apolloni është e papranueshme shpërfillja që po u bëhet shkrimtarëve kosovarë pasi që, sipas tij, niveli i shkrimtarëve është i njëjtë në të dy anët e kufirit.

“Përjashto fenomenin Kadare, autorët e Shqipërisë kurrë s’kanë pasur avantazh ndaj autorëve kosovarë, madje për disa dekada kanë qenë inferiorë ndaj tyre, për arsye politike që tashmë i dimë. Prandaj edhe nuk arsyetohet shpërfillja që iu bë kësaj here autorëve të Kosovës. Duket sikur për 100-vjetor të Pavarësisë, Shqipëria vërtet paska dashur të ‘pavarësohet’ nga Kosova edhe në planin kulturor”, tha Apolloni.

Ai shtoi se ka autorë kosovarë që janë të të njëjtit nivel me autorët e Shqipërisë, në mos më të mirë, sado që, sipas tij, niveli i përgjithshëm i letërsisë shqipe është për t’u brengosur. Apolloni është i mendimit se prozën e kemi në të njëjtin nivel, si andej si këndej, kurse në poezi, dramë dhe kritikë thotë se udhëheqin autorët kosovarë.

Duke folur për raportet ndërmjet shkrimtarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë, Apolloni tha se nuk i duken raporte normale.

“Në Kosovë lexohen dhe studiohen veprat e autorëve aktualë të Shqipërisë, kurse në Shqipëri mezi qarkullojnë, pak lexohen e aspak nuk studiohen veprat e autorëve të rinj kosovarë. Ka mjaftuar ky vit qëndrimi në Tiranë që të bindem se Shqipëria ka një qëndrim refuzues ndaj vlerave letrare e kulturore të Kosovës. Autori kosovar e ka më lehtë të marrë një ‘Nobel’ në Suedi, sesa një çmim kombëtar në Shqipëri. Ndërsa shkrimtarët e Shqipërisë janë të privilegjuarit në konkurse letrare të Kosovës. Si pala që refuzon, si pala që privilegjon, nuk i kontribuon krijimit të një letërsie integrale shqipe”, tha ai. (Express)