Në këtë prag ndërrimi vitesh, shkrimtari dhe gazetari i njohur Bashkim Hoxha kishte menduar një dhuratë speciale për miqtë, madje jo një, por dy të tilla.

Në një mbrëmje paksa ndryshe, ku nuk flitej vetëm për librat dhe krijimtarinë letrare, por edhe për shumëçka tjetër, Bashkim Hoxha kishte bërë bashkë njerëz të letrave dhe politikës.

Dhurata e tij për këtë fundvit ishin dy romanet më të fundit “Eva e tyre nuk e hëngri mollën” dhe “Balada e piratit dhe poetit”. Dy libra që flasin për dy epoka të ndryshme, për personazhe shumë të ndryshëm, por që filli që i lidh është fiction-i artistik, që i sjell ata në kohën tonë.

Për botuesin Aurel Kaçulini, këta dy romane janë pjesë e kolanës së veprave të Hoxhës.

Në promovimet e librave të Hoxhës nuk kanë munguar asnjëherë emrat e njohur të politikës, personazhe që gazetari shpesh i ka pasur të ftuar në studion televizive. E pranishme në shumë aktivitete kulturore e artistike në Durrës, nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu tha se pikërisht mbrëmje të tilla i mungojnë qytetit.

Mes trokitjes së gotave me miq e kolegë dhe nënshkrimit të autografëve për botimet e tij Bashkim Hoxha mbyll një vit të begatë në krijimtari dhe e pret vitin e ardhshëm me premtimin se të tjera vepra do vijnë në jetë nga pena e tij.

M.B.