Në kuadrin e Muajit të Letërsisë, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Nënë Tereza”, nën kujdesin e drejtoreshës, Ada Rexha e personelit pedagogjik, organizuan në një mjedis të shkollës, një takim me shkrimtaren e mirënjohur durrsake, Myzejen Konduri.
Nxënës nga cikli i ulët dhe ai 9-vjeçar, shoqëruar nga mësueset, pas hapjes së takimit nga mësuesja e Rrethit Letrar Teuta Skilja, bënë një bashkëbisedim të këndshëm.
Shkrimtarja, pasi theksoi rëndësinë e shkollës që është themeli i shoqërisë rezonoi me një fjalor të zgjedhur përballë tyre. Ajo ngulmoi te nxënësit prezent, për të mësuar sa më shumë duke u bërë të ditur se do të kenë një jetë më të bukur dhe një vend më të zhvilluar.
Nxënësit, duke jetuar në një kohë që u jep një informacion të bollshëm kohor, befasonin me pyetjet si, Gledio, Dioni, Ana Maria, Bjorna, Nadia, Abelinda etj.
Shkrimtarja Myzejen Konduri, pasi bëri në mënyrë lakonike rrugëtimin e punës krijuese, në fjalën e saj tha:
“Unë kam shkruar në një moshë të vogël. Sigurisht duke shkruar ndër vite, s’kam bërë ndonjë mrekulli, por kam bërë krijime të arrira, të dobishme veçanërisht për fëmijët me mesazhe që të frymëzojnë, të motivojnë. Ju premtoj se do vazhdoj t’ju dhuroj dhe krijime të tjera të bukura”.
Më vonë ajo përcolli një mesazh tjetër:
“Të dashur nxënës! Ecni përkrah dijes e vlerave! Mos lejoni askënd, t’jua errësojë dritën e shpresës!”
Urojmë që gra si Myzejeni të jenë shembull suksesi dhe të ngjyrosin jetën e fëmijëve me vlera!
Takimi u mbyll me disa foto të bukura dhe librat që u dhuroi autorja pjesëmarrësve.