Futbolli i femrave tani ka një fituese të shumëfishtë të “Topit të Artë”.

Spanjollja Aleksia Putejas është shpallur për herë të dytë radhazi fituese e trofeut më të lakmuar individual në futbollin botëror si askush më parë.

Putejas, e cila kishte triumfuar për herë të parë në vitin e kaluar, ka arritur të mbrojë përsëri trofeun edhe pse nuk mori pjesë në Kampionatin Europian të këtij viti për dëmtim.

Por paraqitjet e saj në edicionin 2021-2022 kanë qenë mbresëlënëse dhe të paarritshme, pasi ajo regjistroi 42 gola e 23 asiste  në të gjitha kompeticionet me klubin e kombëtaren. Ajo ishte protagonistja e padiskutueshme e fitores në La Liga, ndërsa çoi Barcelonën deri në finalen e Ligës së Kampioneve ku u mund nga Lioni.