Dy automjete të parkuara janë përfshirë nga flakët pak pas mesnatës në qytetin e Lezhës.

Policia njofton se rreth orës 00:45, në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ka ardhur një telefonatë se në lagjen “Besëlidhja” Lezhë, në parkingun e një pallati po digjen dy automjete.

Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses të cilët kanë ndërhyrë menjëherë duke fikur zjarrin.

Nga veprimet e para hetimore, rezulton se janë përfshirë nga flakët dy automjete të parkuara afër njëra – tjetrës, dhe konkretisht:

Automjeti “Mercedes Fuoristradë ML” me targë AA 400 JK në pronësi të shtetases Sh.P. dhe në përdorim nga shtetasi F.F., si dhe mjeti “Mercedes Benz” me targë LE 7495 E në pronësi të shtetasit K.Ll.

Grupi hetimor po vijon kryerjen e veprimeve në vendngjarje.

Janë marrë disa deklarime si dhe po bëhet këqyrja e kamerave përgjatë rrugës dhe në afërsi të vendit të ngjarjes me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu po bëhet vlerësimi i rastit nga eksperti piroteknik me qëllim përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.