TIRANË, 23 maj 2013– Një lokal në rrugën ‘Perlat Rexhepi’, në zonën e ish-bllokut, Tiranë është përfshirë nga flakët mesditën e sotme.

Zjarri ka shpërthyer rreth orës 14:15 në ambientet e lokalit, ndërkohë që materiali prej druri i lokalit favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve. 

Zjarri u përhap me shpejtesi në katin e parë të një pallati ndërkohë që policia evakuoi banorët. 

U deshen disa minuta qe 4 mjete zjarrfikëse te izolonin dhe te vendosnin nën kontroll flakët. 

Haki Hoxha, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës, në një prononcim për media tha se zjarri nuk përbën rrezik pasi tashmë është drejt shuarjes, falë ndërhyrjes së shpejtë. 

“Aktualisht situata është nën kontroll. Kemi 4 zjarrfikese që po punojnë dhe dy të tjera po vijnë. E kapëm në kohë zjarrin dhe tani jemi në fund. Ishte një lokal në katin e parë. Zjarri është izoluar dhe nuk rrezikon pjesë të tjera. Me shkaqet do merren ekspertët”, theksoi Hoxha duke vënë në pah edhe një tjetër problem që hasin zjarrfikëset, trafikun në rrugë.

Zjarri ka shkaktuar panik tek qytetarët, për shkak se kjo zonë frekuentohet tepër sidomos nga të rinjtë, ndërkohë që nuk raportohen për të lënduar në njerëz, por vetëm për dëme materiale. 

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit që shkrumboi gjithë lokalin, ndërkohë policia nis hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.