Autoritetet greke kanë vënë në pranga dy persona pas një sherri të regjistruar ditën e shtunë. Mësohet se në sherr ishin përfshirë një 46-vjeçar nga Rusia dhe 30-vjeçar nga Shqipëria si dhe pronari i një marketi.
Sipas mediave greke sheri ka ndodhur në një mini market në orët e vona të së shtunës në Chania. Arrestimi i tyre ka ardhur pasi ata të dy janë parë mbrëmjen e së dielës në një pallat në zonën e Bashkisë Platanias ku ishin fshehur. Ata brenda ditës do të dërgohen pranë organeve të drejtësisë për t’u kallëzuar.
Nga përleshja mësohet se kanë mbetur të plagosur dy djemtë e pronarit të marketit, 32 dhe 34 vjeç. 34-vjeçari mësohet se është ende në spital, pasi u qëllua në gju.
Në videon nga momenti i përleshjes, dy persona duket se kanë imobilizuar rusin , i cili tashmë është gjakosur dhe i plagosur në fytyrë. Rusi më në fund arrin t’i largojë dhe qëllon dy herë, me një revole që plagos në gju djalin 34-vjeçar të pronarit.
“Hiqni armën, dikush do të vritet” dëgjohet dikush duke thënë në sfond.
Më pas autori i të shtënave largohet në këmbë, me helmetë në dorë dhe arratiset me motor me një shtetas shqiptar. Pronari 58-vjeçar i minimarkut, duke folur për Creta24, ka treguar se sulmuesi kishte shkuar më parë në dyqan dhe kishte marrë gjërat pa paguar për to, duke pretenduar se paratë do t’i jepte më vonë.
Por dje, pronari nuk pranoi t’i shërbente dhe i kërkoi të largohej nga dyqani. Më pas autori i është përgjigjur “Unë do të të rregulloj” . Pak më vonë sulmuesi është kthyer me një person tjetër dhe ka sulmuar pronarin dhe djemtë e tij 32 dhe 34 vjeç.
“Fytyra e tij është e njohur për mua, nuk e di emrin e tij apo nga është. Më sulmuan me shkopinj që kishin në duar dhe më goditën në kokë dhe dy djemtë e mi ishin jashtë, fëmijët e mi. Dhe ata hynë me shpejtësi, u kapën, na kapën, u goditëm të gjithë, u rrëzuam.
Pasi pa që ajo ishte detyruar nxori një pistoletë dhe qëlloi dy-tri herë dhe më pas ata u larguan. I lashë të shkojnë. Sepse them, pistoletë dhe fëmijët e mi, nuk dua. Ndryshe do të kishim mundur t’i kapnim. Por duke qenë se mbante një pistoletë, e lashë të shkojë”, tha 58-vjeçari.
34-vjeçari, i cili ka marrë plumbin, ka një plagë depërtuese në gju dhe ndodhet i shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Chanias, ndërsa babai dhe 32-vjeçari që u goditën me shkop, kanë qepje në kokë.