TIRANE, 02 mars 2013 – Më tepër se dhjetë persona duke përfshirë dy policë u plagosën sot nga përplasjet mes manifestuesve shqiptarë dhe policisë maqedonase në Shkup, pas emërimit në postin e ministrit të Mbrojtjes të Talat Xhaferit, të etnisë shqiptare, bënë të ditur burime zyrtare vendase. 

"Disa persona u arrestuan pas manifestimeve të dhunshëm të komunitetit shqiptar në Shkup", deklaroi për mediat vendase zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski. Incidenti ndodhi kur policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë qindra protestues. 

Ndërkohë mbrëmjen e sotme ka reaguar edhe kryeministri Sali Berisha për incidentet në Shkup. Berisha ka dënuar aktet e dhunës ndaj shqiptarëve, ndërsa i bën thirrje autoriteteve maqedonase të ndëshkojnë autorët e tyre dhe shqiptarëve të Maqedonisë të shmangin provokacionet e përshkallëzimin e dhunës. 

“Ditët e fundit, grupe ekstremistësh e huliganësh maqedonas kanë ndërmarrë sulme fizike të përsëritura kundër nxënësve dhe të rinjve të etnisë shqiptare në Shkup dhe kanë keqtrajtuar dhe plagosur disa prej tyre. Këto sulme primitive, që në aparencë kanë pasur si shkak absurd emërimin në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të z.Talat Xhaferi nga BDI, në përputhje me marrëveshjen e koalicionit qeveritar, kanë shkaktuar rritjen e mëtejshme të tensioneve ndëretnike dhe dëmtimin e klimës parazgjedhore në Maqedoni. Qeveria shqiptare dënon me ashpërsi këto sulme primitive ndaj nxënësve dhe të rinjve shqiptarë, nga ekstremistë fanatikë maqedonas dhe i bën thirrje forcave politike shqiptare dhe shqiptarëve të Maqedonisë të shmangin provokacionet dhe përshkallëzimin e dhunës”, shkruhet në deklaratën e kryeministrit Berisha në Facebook. 

Ndër të tjera, “Qeveria shqiptare kërkon nga autoritetet maqedonase të ndëshkojnë me të gjithë forcën e ligjit autorët e këtyre akteve primitive me të cilat ata duan të dëmtojnë rëndë bashkëjetesën ndëretnike në Maqedoni”, përfundon deklarata.