·        Gazeta “Dnevnik” merr prononcimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të FYROM-it, që u njoftua nga Interpoli për ndalimin e shtetasit të tij në terminalin e trageteve në Durrës natën e 7 prillit 2014

·        Divanet e prodhuara në Dibër ishin deklaruar në doganë

·        Bosi i firmës së mobilieve, dikur emigrant në Itali, më 9 prill 2014 nuk ndodhej në qytet

DURRËS, 10 prill 2014 –  Buja e madhe ndërkombëtare për kapjen e sasisë prej 2 365 kg kanabis në portin e Durrësit në mbrëmjen e 7 prilll 2014, ka detyruar Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë të prononcohet për këtë rast. Shoferi maqedonas me banim në Shkup, “kishte dosje të pastër”(chisto dosie) penale (shih faksimilen, pjesa e mbuluar me ngjyrë blu), raporton në numrin e 10 prillit 2014 e përditshmja maqedonase “Dnevnik”. Agjencia e lajmeve “Dyrrah” ka bërë një përmbledhje të investigimit të “Dnevnik”-ut.

A. N. (42 vjeç) [policia e Durrësit njofton se quhet Aco Nikolovski, dhe ka moshën 41 vjeç – “Dyrrah”-u], shoferi i kamionit nga Shkupi, i cili u ndalua më Durrës pasi policia shqiptare zbuloi në makinë më shumë se dy tonë marijuanë, kishte dosje të pastër, dhe se nuk ka pasur lidhje ende me trafikun e drogës, konfirmoi Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme, Sipas ministrisë, shkupiani nuk figuron në evidencat e policisë me precedent penal dhe se ka pasur vetëm një rast kundërvajtjeje rrugore disa vjet më parë. Megjithatë, nëse ai kishte dijeni se në 45 divanet, të prodhuar nga një firmë mobiliesh në Dibër, me destinacion Italinë, kishte marijuanë me vlerë mbi 2 milionë euro, këtë do të tregojë hetimi, që po bëhet tani nga policia shqiptare. Ajo që është interesante është se çdo divan ishte i mbushur me rreth 50 kilogram drogë.

Ministria e Brendshme tha se dje [më 9 prill 2014] ka marrë konfirmimin nga zyra e Interpolit se u arrestua A. N.

– Kolegët nga Shqipëria po bëjnë hetime, që duhet të tregojnë nëse drejtuesi i mjetit ka të bëjë me drogën dhe ku e ka ngarkuar, d.m.th. me ose pa dijeninë e tij. Ajo që ne dimë është që transportonte mobilie, të deklaruara në doganë, dhe se në to ishte fshehur marijuanë, – tha MPB-ja.

Media shqiptare njoftojnë se sipas policisë nisur nga dëshmia e shoferit si dhe në rrugë të të tjera operative, fillimisht është konkluduar se marijuana vinte nga Maqedonia.

Kamioni dhe trajleri i markës “Scania”, që drejtonte A. N. janë në pronësi të kompanisë "Donjeta" nga Dibra, që udhëtonte shpesh për në Itali nëpërmjet Shqipërisë dhe ish-republikave jugosllave.

Kamioni zakonisht transportonte mobilie, përfshirë kuzhina të projektuara për punëtorët emigrantë nga Dibra, që jetojnë në Itali. Edhe pse është raportuar fillimisht se droga u zbulua rastësisht para se të imbarkohej në traget për në Bari, policia dyshoi se automjeti nuk transportonte vetëm mobilie dhe ushtroi kontroll. Shoferi nga Shkupi i arrestuar ishte angazhuar nga firma dibrane për transport me kamion. Pas arrestimit iu dha avokat dhe përkthyes.

Gazeta “Dnevnik” më 9 prill 2014 u përpoq të kontaktonte me përfaqësuesit e firmës “Donjeta DOOEL Dibër”, faqja në internet e cilës nuk funksiononte më 9 prill 2014. Në Dibër thuhet se pronari i kompanisë më 9 prill 2014 nuk ka qenë në qytet. Ai vetë ka qenë punëtor dhe disa vite më parë u kthye nga Italia me familjen e tij, dhe pastaj filloi biznesin e transportit. Shkupiani ka qenë një nga shoferët, por e kishte edhe një dibran, që bënte transport për llogari të tij.

Dibranët thonë se qyteti ka tri firma që prodhojnë mobilie kryesisht për eksport në Itali, ku ka shumë dibranë.

– Atje mobiliet janë shumë të shtrenjta. Një divan kushton 1 300 euro, ndërsa këtu e blejnë për 700 euro. Ka shpenzime  transporti, por gjithsesi janë lirë – thotë një dibran, fëmijët e të cilit banojnë në Itali.

Info

Drejtoria e policisë së qarkut të Durrësit njoftoi se më 7 prill 2014, rreth orës 22:15, gjatë inbarkimit të tragetit “Bridge” të linjës Durrës-Bari, u bë kapja në flagrancë e shtetasit Aco Nikolovski, 41, banues në Shkup, Maqedoni, me shtetësi maqedonase.

Ky shtetas do të udhëtonte drejt Italisë pas inbarkimit të kamionit tip “Scania” me targa SU 0172 SB dhe trajler me targë SU 0094 SB, dhe transportonte 45  copë divane, ku gjatë kontrollit, në brendësi të secilit prej tyre u konstatuan nga 50 pako të mbështjella me natriban të dyshuara si kanabis me peshë prej 2 tonë e 365 kilogramë. Më 8 prill 2014, ora 17.00, u arrestua në flagrancë nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.

/përgatiti: th. m. – agjencia e lajmeve “Dyrrah”/