· Në sasinë prej 780 700 tonë të importuar në muajin e dytë të vitit, Shqipëria “peshon” vetëm 27 600 tonë (3,5 për qind të totalit), udhëheq Afrika e Jugut me 558 200 tonë (71.5 për qind të totalit)
DURRËS, 26 mars 2014 – Sipas të dhënave statistikore, në shkurtin e vitit 2014 krahasuar me muajin janar, Kina uli importin e mineralit të kromit me 15.64 për qind, njofton më 26 mars 2014 kompania më e madhe e çelikut në botë Yieh.Corp..
Kina importoi 780 700 tonë mineral kromi në muajin shkurt 2014, ose 15.6 për qind më pak se në muajin paraardhës.
Kjo sasi përfshin 558 200 tonë nga Afrika e Jugut (71.5 për qind e totalit). Ngarkesat nga Turqia arritën në 107 400 tonë; nga Omani mori 323,000 tonë; nga Shqipëria 27 600 tonë (3,5 për qind të totalit), 23.100 tonë nga Irani, 15,200 tonë nga Pakistani.
Kina importoi 925 470 tonë mineral kromi në janar 2014, ose 8.7 për qind më pak se dhjetori 2013.
Vitin e kaluar importi i mineralit të kromit në Kinë arriti në 12, 09 milionë tonë.
Sipas të dhënave të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë publike Autoritetit Portual Durrës sha, nëpërmjet portit të Durrësit janë eksportuar gjatë muajit shkurt 7 884 tonë mineral kromi, ndërsa në janar 5 100 tonë.
Nuk specifikohet vend i destinacionit, por mund të jetë Kina, veçse shifrat e mbërritjes në shtetin aziatik nuk përputhen për shkak edhe të distancës së madhe të lundrimit e kohës së mbërritjes së anijeve.
Gjithsesi, ulja e kërkesës nga tregu kinez është një sinjal i keq për industrinë nxjerrëse të kromit të Shqipërisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





