Para mbërritjes së presidentit amerikan Donald Trump në Japoni, është shmangur një incident ushtarak.
Dy bombardues F-18 Hornet të mjetit lundrues që mban avionët bërthamorë, Ronald Regan kanë fluturuar për të larguar dy bombardues strategjikë rusë të tipit, Tu-95 Bear. Mjetet fluturuese të ushtrisë së Moskës ishin afruar te flota amerikane deri në 130 kilometra.
Ngjarja ka ndodhur në ujërat e Detit të Japonisë, por në të nuk është përfshirë Koreja e Veriut, kërcënimi kryesor i Uashingtonit me raketat e saj balistike dhe kokat bërthamore.
Operacioni është zhvilluar me profesionalitet dhe pa krijuar ndonjë rrezik të mundshëm- siç ka ndodhur herët e tjera mes avionëve rusë dhe amerikanë, bën të ditur CNN.
Në këtë moment, për herë të parë, 3 avion-mbajtës të Shteteve të Bashkuara, Nimitz, Teodor Ruzvelt dhe Regan- që shoqërohen nga arsenali i tyre bërthamor e formuar nga qindra anije lufte, shkatërrues dhe nëndetëse gjenden njëkohësisht në hapësirën e Paqësorit lindor. Këto masa janë vendosur nga administrata amerikane duke parë rritjen e tensionit me Korenë e Veriut, që kërcënon vazhdimisht të shkatërrojë Shtetet e Bashkuara.