ANGLI, 3 prill 2013 – Adoleshentja Ema Day nga Britania e Madhe, është krenare për trupin e saj, pasi arriti të humbasë thuajse gjysmën e peshës së trupit të saj duke u shndërruar nga vajza e qullët dhe me tule, tamam në “modele”.

Biondja simpatike është aq e kënaqur me pamjen e saj, sa që tashmë synon të trokasë në agjencitë e modelimit. Në moshën 15 vjeçare ajo tregon se pati peshën më të madhe të saj, pasi sa shkonte në shtëpi hante pa pushim çokollata dhe biskota.

Ajo tregon se një ditë në shkollë e ngacmuan për shkak të peshës së saj duke e qëlluar me raketë tenisi, dhe nga ai moment mungoi disa ditë rresht pasi i vinte turp.

Më në fund pas fyerjeve të shumta dhe parehatisë me peshën e saj, Emma tregon se vendosi të zëvendësojë biskotat dhe ushqimet me fruta dhe perime, ndërsa në vend të drithërave me sheqer në mëngjes, ha kos dhe fruta, duke bërë që të ndihet më mirë.

Ajo tregon se ka filluar punë si kamariere për të mbajtur trupin në lëvizje dhe për të qenë sa më në formë, duke treguar se ka fituar besimin në vete dhe synon të nis karrierë si modele.

Nga besimi i fituar Ema tregon se synon të hyjë në konkursin e bukurisë Miss Adoleshentja, konkurs i cili zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar.